HISTORI SUKSESI/ Arsela Prelaj, mjekja shqiptare në shërbimin onkologjik të spitalit të Milanos

Mjekja onkologe Arsela Prelaj, e cila prej 7 vitesh ushtron profesionin në Milano, ishte e ftuara e radhës e kryeministrit Edi rama në podkastin “Flasim”.

Rama e cilësoi një personalitet të fushës së mjekësisë e cila vjen në këtë tryezë me eksperiencën e krijuar në Itali dhe njëkohësisht edhe si hulumtuese në fushën e inteligjencës artificiale.

“Onkologjia është një fushë e veprimtarisë së mjekut që është gjithmonë e më e minuar, pasi kanceri po bëhet gjithmonë e më i pranishëm në jetët tona. Kemi gjithmonë e më shumë njerëz që dalin me kancer. Paralelisht me numrin e rritur të rasteve, rritet edhe shpresa se teknologjia dhe transformimet e mëdha që po ndodhin do t’i japin më në fund përgjigje pyetjes ‘a shërohet kanceri'”, tha Rama.

E lindur në Mamurras ku edhe ka kryer arsimin parauniversitar, Prelaj tregoi përpjekjet e saj drejt specializmit në fushën e onkologjisë, pasi kreu studimet universitare në Romë.

Sipas saj, qasja drejt terapive inovative, janë e ardhmja në fushën e onkologjisë.

Kryeministri theksoi se qëllimi i këtij podkasti është promovimi në publik i shembujve të gjithë atyre që nuk janë në faqet e para përgjithësisht.

“Nuk janë në titujt e portaleve e të kanaleve, nuk bëjnë zhurmë, por janë shqiptarët që bëjnë sukses me sakrifica, ide dhe mundim të madh, dhe mbi të gjitha me vetëdijen e fortë që asgjë nuk është e pamundur për atë që është i gatshëm ta ndjekë ëndrrën e vetë”, shtoi ai.

EMISIONET