Çelet në Kuvend ekspozita fotografike “Somnia Disaster” në 40-vjetorin e katastrofës së Çernobilit

Çelet në Kuvend ekspozita fotografike “Somnia Disaster”

Në ambientet e sallës së seancave plenare të Kuvendit u zhvillua të enjeten aktiviteti për çeljen e ekspozitës fotografike “Somnia Disaster”, organizuar në kuadër të 40-vjetorit të katastrofës së Çernobilit. Të pranishëm ishin zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Klodiana Spahiu, ambasadori i Ukraines Volodymyr Shkurov, kryetari i Grupit te Miqësise Shqipëri-Ukrainë, Elton Korreshi, deputetë, ministra, ambasadorë etj.

Në fjalën e tij Korreshi përshëndeti ekspozitën dhe tha se sot përkujtohet një nga tragjeditë më të mëdha të historisë moderne, katastrofën e Çernobilit, e cila la pasoja të rënda njerëzore, mjedisore dhe shoqërore.

“Kjo ekspozitë na kujton jo vetëm dhimbjen e së kaluarës, por edhe rëndësinë e përgjegjësisë, transparencës dhe solidaritetit ndërmjet popujve”, tha Korreshi.

Ndërsa, ambasadori Shkurov vlerësoi se për Ukrainën, kujtesa e Çernobilit mbetet pjesë e identitetit kombëtar dhe një thirrje e vazhdueshme për paqe, siguri dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Ai falënderoi Shqipërinë dhe popullin shqiptar për solidaritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës.

Ekspozita përmblodhi 35 vepra artistike fotografike dhe solli për publikun e pranishëm një reflektim të thellë mbi pasojat e katastrofave bërthamore, përgjegjësinë e shteteve dhe rëndësinë e mbrojtjes së brezave të ardhshëm. Përmes gjuhës së artit, ky projekt synon të nxisë ndërgjegjësimin mbi kujtesën historike dhe sfidat që lidhen me sigurinë dhe përgjegjësinë kolektive.

Veprat e ekspozuara janë prezantuar më parë edhe në institucione të rëndësishme kulturore në Ukrainë dhe jashtë saj, duke marrë vlerësime nga publiku dhe profesionistët e fushës.

Organizimi i kësaj ekspozite në Kuvendin e Shqipërisë merr një rëndësi të veçantë edhe në prag të takimit ministror “Evropa Juglindore – Ukraina”, që do të zhvillohej në Tiranë më 12 qershor 2026.

Në përfundim, aktiviteti përcolli një mesazh solidariteti, kujtese historike dhe përgjegjësie të përbashkët përballë sfidave që prekin shoqëritë dhe brezat e ardhshëm.

EMISIONET