Blackie, bashkëudhëtarja e Gjon Milit

Blackie, bashkëudhëtarja e Gjon Milit

Jo të gjitha historitë e një fotografi të madh lidhen me aparatin apo personazhet që ai ka fotografuar. Disa prej tyre kanë si protagoniste edhe një…mace.

Vizitorët e ekspozitës “Gjon Mili: Retrospektivë”, të hapur në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, kanë mundësi të njihen edhe me historinë e Blackie-t, maces së zezë që u bë shoqëruesja më besnike e fotografit shqiptaro-amerikan Gjon Mili.

Historia e Blackie-t nisi pas një kërkese të pazakontë. Mili kishte nevojë për një mace të zezë për të ilustruar një manual ushtarak amerikan, ku modeli duhej të mishëronte cilësi si vigjilenca, qetësia, shpejtësia dhe instinkti i gjuetisë. Blackie i plotësonte të gjitha këto karakteristika.

Por roli i saj nuk u kufizua vetëm në atë projekt. Gjysmë angora dhe gjysmë mace rruge, Blackie u bë pjesë e pandashme e studios dhe jetës krijuese të Milit. E lirë dhe me temperament të fortë, ajo rrinte pranë fotografit sidomos gjatë punës në dhomën e errët, duke e shoqëruar në procesin e printimit të fotografive.

Fotografia “Blackie dhe Mili” (1944) konsiderohet një nga imazhet më personale të artistit. Në të, Mili shfaqet larg skenave të njohura me figura si Pablo Picasso dhe Édith Piaf, në një moment intim me bashkëudhëtaren e tij më besnike.

Historia e Blackie-t është një prej shumë rrëfimeve njerëzore që ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë” sjell për publikun, duke zbuluar jo vetëm mjeshtërinë fotografike të Milit, por edhe anën e tij personale.

EMISIONET