Anaïs Nin godet me penë dhe mendim, paradoksin e jetës, paaftësinë tonë për të qenë në pajtim me vetveten

Anaïs Nin godet me penë dhe mendim, paradoksin e jetës,

"Ajo që më habit më shumë tek njerëzimi është se mërzitemi nga fëmijëria jonë, nxitojmë të rritemi dhe dëshirojmë të jemi përsëri fëmijë. Që humbasim shëndetin tonë për të fituar para dhe pastaj humbasim paratë tona për të rikthyer shëndetin tonë. Që duke menduar me ankth për të ardhmen, harrojmë të tashmen, në mënyrë që të mos jetojmë as në të tashmen dhe as në të ardhmen. Që jetojmë sikur nuk do të vdesim kurrë dhe vdesim sikur të mos kemi jetuar kurrë."... shkroi Anaïs Nin.

Në fjalinë e saj të mbrujtur me dritë dhe hije, mendim dhe reflektim, Anaïs Nin shënjon me një goditje të vetme të penës, një nga paradokset më tronditëse të qenies njerëzore, paaftësinë tonë për të qenë në pajtim me vetveten. Ky mëtim i saj është që më shumë denoncim i një zhgënjimi sesa akuzë, e vendos njeriun përballë një pasqyre ku ai nuk e sheh më veten si qenie që synon kuptimin, por si qenie që e humb atë në marshimin e tij të çuditshëm midis kohëve, dëshirave dhe iluzioneve.

 “Ajo që më habit më shumë tek njerëzimi është se mërzitemi nga fëmijëria jonë, nxitojmë të rritemi dhe dëshirojmë të jemi përsëri fëmijë.”

Kjo fjali shenjon një plagë ekzistenciale, njeriu lodhet shpejt nga bukuria që ka, dhe kërkon me ngulm atë që nuk e ka dhe shpesh e ka të pamundur që ta përmbushi. Në fëmijëri, ai sheh kufizime, në moshën e rritur, e sheh atë si humbje të pafajësisë dhe thjeshtësisë. Kjo lëvizje rrotulluese e dëshirës, nga e tashmja drejt një të shkuare që e kemi përbuzur dhe një të ardhme që nuk e zotërojmë, është një dëshmi e qartë e krizës së përhershme me kohën. Ne nuk jemi kureshtarë për të jetuar, por për të ikur diku, në një stacion tjetër të shpresuar.

“Që humbasim shëndetin tonë për të fituar para dhe pastaj humbasim paratë tona për të rikthyer shëndetin tonë.”

Kjo është formula tragjike e modernitetit. Shëndeti, ai thesari i padukshëm, sakrifikohet në altarin e punës dhe ambicies materiale, ndërsa pasuria, ajo që e kemi marrë për shpëtim, përdoret më pas për të blerë rikthimin e asaj që vetë e dëmtuam. Njeriu hyn kështu në qarkun absurd të humbjeve simetrike, një paradoks që tregon jo vetëm shkujdesje, por një lloj mohimi të natyrës së vet. Sikur trupi të jetë vetëm një mjet, jo një banesë. Sikur jeta të jetë një garë, jo një shtegtim.

“Që duke menduar me ankth për të ardhmen, harrojmë të tashmen.”

Në këtë fjali fshihet dramë e padukshme e epokës sonë. Ankthi për të ardhmen nuk është thjesht frikë nga pasiguria, por edhe shenjë e një mungese të rrënjosjes. E ardhmja bëhet fantazmë që na ndjek, ndërsa e tashmja, ajo frymë që jetojmë, mbetet e pashijuar, e paprekur, gati e fyer nga mosvëmendja jonë. Në këtë mënyrë, njeriu shpërdoron kohën e vet duke mos jetuar asnjëherë aty ku ndodhet. Ai e ndërton jetën mbi projekte, por e humbet mbi premtime.

“Që jetojmë sikur nuk do të vdesim kurrë dhe vdesim sikur të mos kemi jetuar kurrë.”

Kjo është fraza që e mbyll kapsulën e së vërtetës me një lloj heshtjeje tronditëse. Ne jetojmë me nxitim, me pretendimin e një pavdekësie të heshtur. E shtyjmë jetën, gëzimin, përjetimin, gjithmonë për nesër. Pastaj vdekja na gjen të papërgatitur, pikërisht sepse kemi jetuar me idenë e së nesërmes së pafundme. Dhe kështu vdesim pa patur kurrë luksin e të qenit realisht gjallë.

Në thelb, kjo është një thirrje për zgjim.

Anaïs Nin nuk na fton të ndryshojmë botën, por veten. Dhe kjo, në fund, është transformimi më i vështirë dhe më i domosdoshëm: të jetojmë, jo të rendim; të jemi, jo të bëhemi; të marrim frymë brenda orëve tona, jo jashtë tyre.

Sepse njeriu nuk ka nevojë për më shumë kohë për të jetuar shpirtërisht dhe fizikisht, por për më shumë vetëdije dhe vlerësim të gjithçkaje si një thesar, në kohën që ka si shpërblim.

EMISIONET