50 vjet duke kurdisur orë në Sarandë/ Dhionis Barjaba, s’e la kurrë zanatin: Kam riparuar orë edhe të para 170 viteve
Zanati i Orëndreqësit ishte dikur ndër më të lakmuarit. Sot, me zhvillimin e teknologjisë orat pakkush i rregullon, por përsëri në vendin tonë orëndreqësit vijojnë të ushtrojnë zanatin. Gazetarja Anxhela Lushkaj sjell historinë e Dhionis Barjaba që prej 50 vitesh rregullon orë në Sarandë.
Dhionis Barjaba ishte një gjimnazist ekselent me ëndërra për profesionin e së ardhmes, kur rastësia e solli të mësonte si të rregullonte ora.
Që nga ajo kohë kanë kaluar 50 vite. Ai vijoi të kurdiste ora duke e kthyer atë në një biznes familjar.
Dhionis Barjaba: “Njerëzve u duhet çdo lloj gjëje që të kronometrojnë kohën e tyre. Do zgjohesh në mëngjes, do dish sa është ora, do vesh në punë, dhe kjo është e gjitha. Kam gjithë atë punë sa nuk mbarojnë”.
Për sa kohë njësia matëse e kohës të jetë ora dhe zanati i orëndreqësit thotë Dhionisi nuk do të humbasi kurrë. Në familje pasionin e tij ja ka mësuar të shoqës, dhe dy djemve.
Dhionis Barjaba: “Edhe gruaja ime e di zanatin, edhe djemtë e mi po ashtu. Djali i madh mbaroi në Greqi shkollën e lartë duke punuar dhe në dyqan. Porosiste dhe merrte porrosi jashtë shtetit dhe vinte i punonte”.
Në koleksionin e tij orët janë të pafundme por ato më të vjetrat kanë vend të veçant për të.
Dhionis Barjaba: “Këtë e donte një klient që e kishte kujtim nga babai i tij. është një orë rreth 150-170 vjeçare. Kjo është e punuar me dorë dhe ka metal bronz, mermer”.
Në gjysmë shekulli punë Dhionisi ka kaluar në dorë vepra arti si kjo që ka tani mbi tryezën e punës. Një orë e punuar në bronz dhe mermer se paku 150 vjeçare.