Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” reagon pas ngjarjes së mesditës së sotme kur një pacient me Covid-19 tentoi vetëvrasjen duke u hedhur nga një prej ballkonëve të Infektivit.

Sipas QSUT, 69-vjeçari R.G është në gjendje kritike ndërsa thekson se, stafi mjekësor në Spitalin Infektiv po bën përpjekjet maksimale për të shpëtuar jetën e tij.

Më tej, QSUT siguron qytetarët se mjekët janë në krye të detyrës dhe askush nuk do të mbetet pa marrë shërbim mjeksor!

Reagimi i plotë i QSUT:

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” sqaron opinionin publik se stafi mjekësor në Spitalin Infektiv po bën përpjekjet maksimale për të shpëtuar jetën e pacientit, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në spitalin Infektiv, ku një pacient tentoi të kryente aktin tragjik.

Pacienti me inicialet R.G., 69 vjeç aktualisht është nën kujdesin e mjekëve të këtij spitali.

Në këto ditë të vështira të përballjes me Covid-19, kur mjekët tanë po bëjnë një sakrificë të jashtëzakonshme, sigurojmë Qytetarët  se jemi në krye të detyrës dhe askush nuk do të mbetet pa marrë shërbim mjeksor!

Në këto momente nevojitet bashkëpunim dhe drejtësi në përcjelljen e informacioneve, për të ndihmuar mbi të gjitha stafet mjekësore që janë 24 orë në shërbim, siç kanë bërë dhe do të bëjnë deri në fund të kësaj beteje!“.

Ky është rasti i katërt i hedhjes nga lartësia të personave të infektuar në spitalet Covid.

Përveç dy të sëmurëve te “Shefqet Ndroqi”, një tjetër u hodh nga banesa e tij në Tiranë.