Filmat ishin një ndër shumë mjetet që regjimi komunist përdori për të përcjellë ideologjinë e tij.

30 vite nga rrëzimi i diktaturës produksionet e ish-Kinostudios Shqipëria e Re, vijojnë të transmetohen në mungesë të një filtri.

Drejtorja e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë Jonila Godole thekson nevojën e vendosjes së filmave në kontekstin socialo-politik.

“Nuk mund të vazhdohet me filma propagandë.”

Qasja kritike ndaj veprave kinematografike të regjimit të kaluar do të ndihmonte jo vetëm në informimin e drejtë të brezit të ri por edhe në rikthimin e dinjitetit moral të ish-të përndjekurve politikë.

“Është një fyerje për të përndjekurit politik, është një vrasje vazhdimisht duke u kujtuar të afërmit e tyre.”

Por të njejtin mendim nuk ndan drejtorja e Arkivit të Filmit. Me rëndësi për Iris Elezin është shtimi i numrit të kritikëve të filmit, të cilët do të mund të japin një panormë edhe më të qartë të kinematografisë në kohën e diktaturës.

“Nuk duhet të jemi naivë që dikush nuk arrin dot të dallojë gënjeshtrën. Duhet të punojmë që njerëz që studiojnë filmin të rriten në numër.”

Aktiviteti me temë “ Filmat e Kinostudios, propagandë apo pasuri kombëtare” u mbajt në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”.