Zëvendësguvernatorja Ahmetaj: Formalizimi i remitancave, burim për rritje ekonomike
Me ftesë të dekanit të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, Prof. Dr. Albert Qarri, dhe në kuadër të Javës Globale të Parasë 2024, zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, mbajti një leksionin me temë “Integrimi ekonomik: dije dhe financim”.
Leksioni u përqendrua në nevojën për të kuptuar oportunitetet që sjell ekonomia e dijes për vendet në zhvillim, si dhe orientimi drejt dijes dhe inovacionit si mënyra e vetme për të përfituar prej tyre.
Duke u ndalur në ndryshimet që përhapja e ekonomisë së dijes po sjell në ndarjen ndërkombëtare të punës, zëvendësguvernatorja identifikoi arsimin dhe sektorin financiar si aleatët kryesorë të këtij progresi.
Në këtë kontekst, Ahmetaj shprehu vlerësimin për brezat e studentëve dhe profesorëve që vijojnë të kontribuojnë në emrin e mirë të këtij universiteti.
Ahmetaj theksoi rëndësinë që ka për rritjen ekonomike afatgjatë investimi i koorporatave në kërkim shkencor dhe zhvillim (R&D).
Ajo adresoi mundësitë e shkëlqyera të ekonomisë së dijes për vende si Shqipëria, por që duhet të mbështeten në sisteme arsimore, financiare dhe institucionale të zhvilluara, si dhe orientimin e stafeve akademike drejt komercializimit të shkencës dhe inovacionit.
“Zhvillimi i sistemit të pagesave mund të luajë një rol të rëndësishëm për këtë qëllim, duke mundësuar formalizimin e remitancave dhe përdorimin e tyre si një burim për rritje ekonomike dhe daljen nga varfëria”, tha ajo, ndërsa nënvizoi se, për këtë arsye, Banka e Shqipërisë dhe sektori bankar shqiptar kanë zgjedhur të jenë lider në rajon, duke investuar në teknologji dhe duke përqafuar në kohë kornizën ligjore të Bashkimit Evropian në fushën e shërbimit të pagesave.
Zëvendësguvernatorja Ahmetaj u ndal te rëndësia e remitancave për familjet shqiptare dhe roli i Bankës së Shqipërisë për të ulur kostot e dërgimit të tyre përmes kanaleve formale financiare.
Modernizimi i sistemit kombëtar të pagesave dhe aplikimi për anëtarësimin në SEPA do të sjellin përfitime të ndjeshme në këtë drejtim.
Në përfundim, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj u ndal te qëndrueshmëria dhe shëndeti i sektorit financiar si një funksion themelor i Bankës së Shqipërisë.
Ligjërata u mbyll me pyetje dhe diskutime, lidhur me financat në epokën digjitale, me fokus te kriptomonedhat dhe monedhat digjitale të bankave qendrore (CBDCs), duke prekur karakteristikat e tyre, lehtësinë e transaksioneve, luhatjen e çmimeve, rrezikun e falimentimit dhe qasjen e bankave qendrore mbi këtë zhvillim.
Të pranishmit shfaqën interes mbi perspektivën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe parapërgatitjen e duhur të sektorit financiar në këtë fushë.