Veliaj në ajër, 5 milionë lekë bileta për udhëtimet e administratës së Bashkisë
Në një kohë kur qytetarët e Tiranës përballen me çmimet e larta dhe kostot e rritura të jetesës, administrata e bashkisë Tiranë nuk heq dorë nga udhëtimet jashtë vendit.
Vetëm në dy muajt e fundit, institucioni që drejtohet nga Erion Veliaj ka shpallur 21 prokurime për blerjen e 59 biletave të avionit me destinacione të ndryshme që kapin vlerën e 4 milion 733 mijë lekëve ose 40 mijë euro.
Italia, Austria e më tej Egjipti, Belgjika dhe Spanja janë shtetet më të frekuentuara, duke vijuar me Çekinë dhe Jordaninë.
Destinacioni më i shtrenjtë i realizuar nga bashkia Tiranë është ai i Jordanisë kur për një fluturim me dy bileta janë shpenzuar 3800 euro.
Katër prokurime për blerjen e 18 biletave avioni janë bërë nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë, ndërmarrje e cila është në varësinë e Bashkisë Tiranë, me vlerë totale 12 mijë euro.
Në tre prokurimet që janë bërë me datë 24 nëntor, edhe pse kanë të njëjtin destinacion dhe të njëjtën sasi biletash që do të blihen, çmimi dhe fituesi nuk është i njëjtë.
Por këtu është përfshirë vetëm kosto e biletave, duke mos përfshirë dietat dhe hotelin e punonjësve apo zyrtarëve të bashkisë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.