UBT instalon sistemin e parë automatik për monitorimin e cilësisë së ujërave

Universiteti Bujqësor i Tiranës ka instaluar sistemin e parë automatik afatgjatë për monitorimin e cilësisë së ujërave.

Ai është vendosur në lumin Ishëm, pranë fshatit Derven, në kuadër të projektit AMoRE-AL, që po zbatohet nga UBT në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.

Gjatë një takimi prezantues, drejtuesit e projektit që synon të harmonizojë praktikat shqiptare me standardet e Bashkimit Europian për menaxhimin e baseneve ujore u bënë publike rezultatet e dy viteve të para të monitorimit mjedisor

Sistemi, funksional që prej marsit 2025, mat në kohë reale parametrat kryesorë të ujit, si oksigjeni i tretur dhe temperatura. Të dhënat e para tregojnë luhatje sezonale dhe episode kritike të uljes së oksigjenit, të lidhura me ndotjen dhe prurjet.

Në kuadër të projektit janë instaluar pajisje moderne monitorimi, përfshirë MiniDOT loggers dhe, për herë të parë në Shqipëri, një sistem Large Volume Sampler për matjen e ngarkesave ndotëse në dalje të basenit.

Projekti, i financuar nga  Agjencia austriake e zhvillimit  realizohet në bashkëpunim me partnerë si BOKU, Universiteti Politeknik i Vjenës dhe Universiteti i Karlsruhe në Gjermani.

AMoRE-AL konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të politikave mjedisore dhe afrimit të Shqipërisë me standardet europiane për menaxhimin e ujërave.

EMISIONET