Sokolaj: Të nxitohet me reformën e inspektorateve, kyç për sigurinë ushqimore dhe integrimin në BE

Granit Sokolaj nga Qendra “Alert” tha sot se reforma e inspektorateve duhet të nxitohet, pasi janë pikërisht ato struktura që zbatojnë ligjet që lidhen me sigurinë ushqimore.

Sokolaj ishte i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian në Kuvend, ku u diskutua adresimi i rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian 2025 në fushën e sigurisë ushqimore, në kuadër të procesit të integrimit në BE.

Të pranishëm në aktivitet ishin ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, si dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile.

Duke iu referuar deklaratës së ministrit të Bujqësisë se deri në vitin 2027 janë rreth 200 akte ligjore dhe nënligjore që duhen miratuar, Sokolaj e vuri theksin te rëndësia e burimeve njerëzore për zbatimin e këtyre ligjeve.

“Pyetja është se me kë do të zbatohen këto akte ligjore që do të miratohen gjatë kësaj periudhe për kapitujt e sigurisë ushqimore në procesin e integrimit. Ne kemi probleme me vezët që eksportojmë, peshkun, etj. Prandaj unë e lidh këtë me kapacitetet njerëzore, sepse kapacitetet në nivel ligjzbatues nuk janë në nivele të mira.

Këshillat e inspektorëve kanë pasur mangësi në realizimin e rekomandimeve që u janë paraqitur. Këtu përjashtojmë veterinarinë, e cila ka marrë vlerësime pozitive nga auditimet e fundit”, tha Sokolaj.

Ai shtoi se “reforma e inspektorateve duhet të nxitohet, pasi ka krijuar një handikap të madh, duke lënë njerëzit pezull, sepse ata nuk e dinë se ku do të jenë. Këta janë njerëzit që do të zbatojnë ligjet”.

Më tej, ai tha se Këshilli Kombëtar i Integrimit duhet të shërbejë si një platformë ku shoqëria civile të thërrasë dëgjesa me institucionet ligjzbatuese.

“Ne nuk kemi mundësi të thërrasim dëgjesa, por ky Këshill mund të jetë një mekanizëm, një platformë e rëndësishme për këtë. Ky është propozimi im”, u shpreh ai.

Duke folur për qumështin që shitet në rrugë, Sokolaj tha se duhen ngritur grupe të përbashkëta inspektimi, por edhe gjetur zgjidhje afatgjata për fermerët që sigurojnë jetesën nga kjo formë tregtie.

“U përmend qumështi i rrugës, një problematikë shqetësuese. AKU nuk e heq dot e vetme, as Policia e Shtetit, as inspektoratet. Prandaj sugjeroj që të ngrihen grupe të përhershme të përbashkëta pune. Më pas duhet menduar se si do të merret dhe tregtohet qumështi i këtyre fermerëve, pasi për ta është buka e përditshme. Kjo është mënyra e tyre e jetesës”, përfundoi Sokolaj.

EMISIONET