Sejko me përfaqësuesin e FMN-së Sosa: Ekonomia në rritje me ritme të qëndrueshme

Sejko me përfaqësuesin e FMN-së Sosa: Ekonomia në rritje me

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe përfaqësues të tjerë të saj zhvilluan një takim pune me Sebastian Sosa, Përfaqësues Rezident Rajonal për Ballkanin Perëndimor pranë FMN-së.

Sejko bëri një prezantim mbi zhvillimet më të fundit ekonomike të vendit, duke u fokusuar kryesisht në ecurinë e çmimeve, zhvillimet në sistemin financiar e bankar, si dhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen.

Guvernatori u shpreh se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive gjatë vitit 2024, ku aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat u zgjeruan me ritme të qëndrueshme. Inflacioni erdhi në rënie dhe mbeti në nivele të ulëta, ndërsa treguesit e stabilitetit ekonomik dhe financiar shënuan përmirësim.

“Perspektiva e zhvillimeve ekonomike për të ardhmen mbetet pozitive dhe ekonomia pritet të rritet me ritme të qëndrueshme, si dhe inflacioni pritet të kthehet në objektivin e bankës, prej 3%, gjatë vitit 2025”, tha ai.

Gjithashtu, Guvernatori i prezantoi Sebastian Sosa, programin e miratuar së fundi nga Banka e Shqipërisë për financimin e biznesit mikro, të vogël dhe të mesëm, i cili synon të krijojë një instrument financimi për bankat tregtare që të mund të përdoret prej tyre në mbështetje të përmirësimit të aksesit në kredi.

Ndërkohë, Sebastian Sosa vlerësoi punën dhe rezultatet e arritura nga Banka e Shqipërisë në drejtim të forcimit të stabilitetit monetar e financiar të vendit. Ai u ndal te rëndësia e kthimit të inflacionit në objektiv dhe shprehu mbështetjen ndaj masave të Bankës së Shqipërisë. Një tjetër çështje e vlerësuar ka qenë edhe monitorimi i vazhdueshëm që Banka e Shqipërisë i ka bërë tregut valutor, pa cenuar regjimin e lirë të tij.

Sosa gjithashtu përgëzoi Guvernatorin Sejko për anëtarësimin e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA, si një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.

Në mbyllje të takimit, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesi i FMN-së Sosa theksuan nevojën dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe vijimit të ofrimit të asistencës teknike në të ardhmen.

EMISIONET