Manastirliu: Fuqizohet Qendra Llogaritëse e Fizikës, për zhvillimin e kërkimit shkencor të avancuar

Qendra Llogaritëse, pranë departamentit të Fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës (Universiteti i Tiranës), tashmë është pajisur me kompjuterë me performancë të lartë (High Performance Computing) për kërkime shkencore të avancuara në fusha të rëndësishme si shëndetësia, energjia, emergjencat civile dhe më shumë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha, dekanen e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Eglantina Kalluçi, profesorë dhe studentë, inspektoi Qendrën Llogaritëse të departamentit të Fizikës dhe Laboratorin e Kimisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Me investimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, nëpërmjet AKKSHI dhe me mbështetjen e CERN, ky laborator i ri hap mundësi të mëdha për kërkuesit shkencorë dhe studentët, duke i afruar ata me standardet ndërkombëtare.

Gjatë inspektimit, ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e kësaj qendre për kërkuesit shqiptarë dhe ndikimin që do të ketë në fusha të ndryshme të kërkimit shkencor.

“Ky fuqizim që ka ndodhur sot në këtë qendër llogaritëse duke pajisur gjithë rrjetin e kompjuterëve me High Performance Computing që është pajisja e duhur që përmes inteligjencës artificiale të përpunohen seria e të dhënave në fusha të ndryshme të kërkimit shkencor përcjell pa dyshim inovacion qoftë në shëndetësi, qoftë në energji, qoftë në emergjencat civile, pra janë të gjitha këto drejtime të cilat jam e bindur që në bashkëpunim me ekspertët tanë, me profesoratin tonë me kërkuesit shkencor mbi të gjitha me ekspertizën që vjen nga CERN-i dhe nga programi që ju tashmë keni bërë pjesë do të jetë një hov përpara drejt zhvillimit të kërkimit shkencor dhe inovacionit në vendin tonë”, tha Manastirliu, duke nënvizuar se kjo qendër është e lidhur ngushtë me pjesëmarrjen e kërkuesve shqiptarë në projektin europian Compact Muon Solenoid (CMS) në CERN dhe anëtarësimin e institucioneve shqiptare në këtë projekt të rëndësishëm shkencor.

Përveçse do të ndihmojë në avancimin e kërkimit shkencor, kjo qendër ofron edhe mundësi për IAL-të e tjera, institutet kërkimore, entet publike, organizatat joqeveritare dhe bizneset që të realizojnë projekte të specializuara në analizën e të dhënave dhe simulimet shkencore.

“Ky është laboratori i parë në llojin e vet që ka këtë High Performance Computing dhe që jam e bindur që nga pikëpamja e modelimeve, jo vetëm për sa i përket aspekteve të shkencës, por edhe aspekteve shoqërore, sepse edhe modelet gjuhësore, të gjitha këto, mund të modelohen nëpërmjet këtij laboratori dhe kësaj infrastrukture që tashmë është e instaluar. Ndaj, duhet që të fuqizojmë akoma më shumë lidhjen mes universiteteve tona, ashtu sikurse tashmë Universiteti i Tiranës me Universitetin Politeknik bëjnë, por edhe me universitetet e tjera, në mënyrë që t’i shfrytëzojmë këto kapacitete që kemi për të gjithë ciklet e studimit, por edhe përtej cikleve të studimit, për shkencën në tërësi”, tha  Manastirliu.

Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha u shpreh se “është shumë  e rëndësishme për të konsoliduar kërkimin shkencor në fushën përkatëse tek ne si dhe për të konsoliduar raportet me institucione të tjera, të cilat duhet të rrisin besimin që veprimtaria jonë është një veprimtari që nuk ka diferenca nga kërkimi në vende të tjera”.

Përmes kësaj qendre, e cila mbështetet në teknologjitë më të avancuara të High Performance Computing (HPC) dhe Inteligjencës Artificiale, kërkuesit shqiptarë do të kenë mundësinë të konkurrojnë në të njëjtin nivel me homologët e tyre europianë.

EMISIONET