Rusia ndërpreu gazin, SHBA me sytë nga terminali LNG Vlorë: Na duhen më shumë gazsjellësa

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku ishin pjesë e një takimi të organizuar në Tiranë me një grup kompanish lider në tregun e energjisë në SHBA dhe BE që janë të gatishëm për t'u përfshirë në zbatimin e planit ambicioz të transformimit të Shqipërisë në eksportues neto i energjisë dhe kampione e Ballkanit për energjinë.

Ambasadorja e SHBA-së vuri theksin tek ndërtimi i gazsjellësave të ri, një domosdoshmëri një ditë pasi Rusia fiku gazin për Poloninë dhe Bullgarinë.

Yuri Kim: “Diversifikimi i energjisë nuk mund të presë. Kemi parë si Rusia ka kërcënuar dhe ka fikur dhënien e gazit Polonisë dhe Bullgarisë. Për këtë arsye na duhen më shumë gazsjellësa. SHBA e Europa po përballet me një realtet të ri, sfida ushtarake, diplomatike dhe ekonomike. Shpresojmë që diskutimet e sotme të prodhojnë idetë reale që adresojnë këto sfida" 

Nevoja e rajonit për të gjetur rrugë të reja për sigurinë energjetike dhe të gazit të pavarur nga Rusia sa vjen e bëhet më e domosdoshme është dhe një nga arsyet përse SHBA po bashkëpunon në projektin LNG-së të Vlorës.

Yuri Kim:  “Siguria energjetike lidhet ngushtë me sigurinë kombëtare, dhe ajo që po jetojmë në këto momente e bën më të dukshme. Rajoni duhet të kërkojë të gjejë zgjidhje krijuese së bashku për të gjetur një rrugë të re përpara për sigurinë energjetike dhe klimatike.

 Kjo është një nga arsyet përse u ndërtua gazsjellë TransAdriatik, e përse tani po sjell gaz në Europë i lirë nga ndikimi negativ i Rusisë. Kjo është përse SHBA janë në një partneritet të ngushtë me Shqipërinë në projektin LNG-së të Vlorës.

Më kujtohet dita e ftohtë e shkurtit 2020 kur me ndihmës sekretarin e atëhershëm amerikan për energjinë, Steven Winberg iu bashkuam ministres Balluku në diskutimin e mundësisë LNG-së për rajonin. Dy vjet që atëherë po shohim një projekt plotësisht të zhvilluar për të sjellë furnizime të mëdha me gaz në Europë përmes Shqipërisë dhe gazsjellësit TransAdriatik. Është koha për të vepruar dhe jemi të kënaqur që jemi pjesë e këtij diskutimi”

Edhe Ministrja Belinda Balluku zbuloi projektin për injektimin e gazit të lëngshëm nga Vlora në TAP.

Belinda Balluku: “Projekti ynë ku një nga komponentët kryesorë është lidhja e gazsjellësit TAP me portin e lundrueshëm LNG në Vlorë nëpërmjet tubacionit Fier -Vlorë ka tërhequr vëmendjen e aktorëve më të mëdhenj të sektorit të gazit.”

Memorandumi per terminalin LNG
Më 15 korrik 2021 në Tiranë u nënshkrua Memorandumin e Mirëkuptimit, mbi mundësitë e  bashkëpunimit për ndërtimin e një gazsjellësi nga Terminali i Vlorës në drejtim të infrastrukturave të tjera të mundshme të gazit natyror në Shqipëri.

Memorandumi u firmos nga Kompania shtetërore shqiptare e gazit, Albgaz, ajo amerikane Excelerate Energy L.P. (Excelerate), dhe kompania italiane Snam S.p.A (Snam). Përmes këtij memorandumi do të eksploronin së bashku zgjidhje, të cilat mund të furnizojn/ potencialisht një impiant të depozitimit të gazit natyror në Shqipëri, duke ofruar kështu siguri energjetike në rajon.

Snam është një nga pronarët dhe operatorët më të mëdhenj të infrastrukturës energjetike në botë dhe një aksioner kryesor në Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP).

Kompania e Shërbimit të Gazit Shqiptar (Albanian Gas Services), si një ndërmarrje e përbashkët e Snam dhe Albgaz, mirëmban rrjetin e transmetimit të gazit në Shqipëri, mund të operojë dhe mirëmbajë tubacionin e ardhshëm.

Amerikanët zgjedhin Shqipërinë si portë për shitjen e gazit natyror

Në një shkrim të publikuar pak ditë më parë në "Bloomberg" shkruhej se kompania amerikane e gazit “Excelerate Energy Inc” planifikon të përdorë Shqipërinë si portë për të shpërndarë gaz natyror dhe produkte të gazit natyror në pjesën tjetër të Europës, sipas CEO-s (drejtuesi i lartë) të saj Steven Kobos.

Kompania do t’i ofrojë Shqipërisë termocentrale lundruese, duke e lejuar atë të prodhojë energji elektrike dhe të rrisë prodhimin e saj të energjisë që aktualisht varet nga hidrocentralet jo të qëndrueshme.

Përveç kësaj, kompania po punon me “Exxon Mobil Corp” për të ndërtuar një projekt me fuqi nga Gazi Natyror i Lëngshëm (GNL) në Vlorë. Kobos tha se shpreson të përdorë projektin e GNL-së të Vlorës për t’u zgjeruar në vende të tjera të rajonit.

“Është një projekt i mirë energjetik për Shqipërinë,” tha shefi ekzekutiv i Excelerate, Steven Kobos për marrëveshjen e centraleve lundruese sipas Bloomberg.

EMISIONET