Rreziku nga murtaja e ruminantëve, Koleci në “Alert”: Të ashpërsohen masat e kontrollit dhe ndërgjegjësimit

Në emisionin “Alert” në "Ora News", moderuar nga Granit Sokolaj, u diskutua rreziku nga murtaja e ruminantëve.

I ftuar profesor Xhelil Koleci, ekspert në sëmundjet infektive nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, theksoi se situata në vendin tonë është e shqetësuese, pasi rreziku nga kjo sëmundje është real dhe nëse nuk tregohet kujdes i shtuar, Shqipëria mund të preket lehtësisht.

Profesor Koleci nënvizoi domosdoshmërinë e përditësimit dhe vlerësimit të rrezikut në planin e kontingjencës, duke përfshirë identifikimin e situatave të mundshme për përhapjen e sëmundjes dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik për këtë çështje.

Ai theksoi rëndësinë e rritjes së shkallës së monitorimit dhe mbikëqyrjes, duke përmendur implementimin e masave të karantinës si një mjet kyç për të parandaluar shpërthimet e mundshme.

“Monitorimi i vazhdueshëm i kafshëve dhe i lëvizjeve të tyre është thelbësor për të identifikuar shenjat e sëmundjes në kohë”, nënvizoi Koleci.

Profesor Koleci sugjeroi një sistem vëzhgimi, që përfshin monitorimin aktiv përmes testimeve të rregullta dhe kontrollit të lëvizjes së kafshëve, si dhe survejancën pasive, ku të dhënat nga fermerët dhe veterinerët të mblidhen në mënyrë të rregullt për të ndjekur gjendjen shëndetësore të kafshëve.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm që u diskutua ishte asgjësimi i kafshëve të infektuara.

Profesor Koleci theksoi se në rastin e konfirmimit të murtajës së ruminantëve, është e domosdoshme që kafshët e prekura të asgjësohen në mënyrë të kontrolluar dhe sipas protokolleve strikte shëndetësore.

“Kjo masë drastike është jetike për të parandaluar përhapjen e sëmundjes tek kafshët e tjera dhe për të mbrojtur sektorin e blegtorisë në vend”, tha ai.

NDIQNI MË POSHTË TË PLOTË EMISIONIN “ALERT”

EMISIONET