Drejtoresha në MBZHR, Matilda Xhepa: Situata në vend është e pastër nga rreziku i murtajës së ruminantëve
Në emisionin “Alert” në “Ora News”, të moderuar nga Granit Sokolaj, Matilda Xhepa, Drejtoreshë e Politikave Veterinare në MBZHR, diskutoi mbi rrezikun nga murtaja e ruminantëve dhe masat që po merren për ta parandaluar këtë sëmundje.
“Autoriteti Kombëtar i Bimëve ka filluar një aktivitet ndërgjegjësimi në bashkëpunim me përfaqësuesit e pushtetit vendor.
Takime po organizohen në të gjitha rajonet me fermerët, transportuesit e kafshëve dhe veterinarët privatë.
Qëllimi i këtyre takimeve është të informohen të gjithë për rrezikshmërinë e murtajës, shenjat klinike dhe masat që secili duhet të marrë për të mbrojtur ekonominë nga kjo sëmundje.
Në kuadër të këtij aktiviteti, janë shpërndarë fletëpalosje për të rritur ndërgjegjësimin.
Gjithashtu, është hartuar një plan kontigjence që përfshin organizimin e ushtrimeve stimuluese për të mbajtur nën kontroll situatën. Falë këtyre masave, situata në vend është e pastër nga rreziku i murtajës së ruminantëve”, u shpreh Xhepa.
Nga ana tjetër, Xhepa theksoi se aktualisht nuk ka asnjë rast të regjistruar dhe se do të vazhdojnë të mbajnë situatën nën kontroll për të mbrojtur ekonominë dhe shëndetin e kafshëve në vend.
“Me angazhimin e autoriteteve dhe bashkëpunimin e fermerëve dhe veterinave, vendi ynë është në një situatë të sigurt përballë kërcënimeve nga murtaja e ruminantëve.
Këto masa janë të rëndësishme për të garantuar një të ardhme të shëndetshme për sektorin e blegtorisë”, theksoi Matilda Xhepa.
NDIQNI MË POSHTË TË PLOTË EMISIONIN “ALERT”



