Radonshiqi: Taksimi me 15 % nuk përballohet nga profesionistët e lirë, ligji nxit evazionin dhe dëmton familjet shqiptare

Ekspertja e Ekonomisë Romina Radonshiqi, sqaron arsyet se profesionistët e lirë u detyruan të shkojnë në dyert e Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar me forcë lijgin e ri të qeverisë, i cili parashikon taksimin e tyre me 15 për qind.

E ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, Radonshiqi theksoi se ata e kanë të pamundur pagesën e kësaj takse të re që për ata do të ishte shkatërruese

“Çdo individ që është i regjistruar dhe që ka një NIPT do të taksohet tashmë. Problemi qëndron në faktin se profesionistët e lirë nuk janë kundër taksimit të tyre, por problemi qëndron tek norma tatimore që është e lartë, pra 15 % dhe ata thonë që kjo normë është e papërballueshme për ta.

Profesionistët e lirë nuk është se janë persona që krijojnë shumë të ardhura, por janë njerëz që mund të punësojnë edhe persona të tjerë, jo shumë në numër, por ata punësojnë. Pra janë kontribues në punësimin e popullsisë.

Ata janë kundër sepse nuk janë persona që kanë shumë të ardhura. Ata pretendojnë se po trajtohen nga qeveria si biznes i madh, dhe prej 2-3 muajsh ka dhe falimentime të këtyre profesionistëve të lirë.

Dhe ne kemi kaluar dy kriza të forta deri më tani, dhe ky taksim shtesë do të thotë edhe rritje të çmimeve nga shërbimet që këta profesionistë të lirë, që nga berberi i lagjes që ka rritur çmimet e shërbimeve.

Pra ky tatim jo vetëm që dëmton profesionistët e lirë, por ndikon edhe në ekonominë e familjeve shqiptare dhe nxit evazionin fiskal”, u shpreh ekspertja e Ekonomisë Romina Radonshiqi.

EMISIONET