Punësim për Sindromën Down, Shehu: Shteti të ofrojë më shumë shërbime e mundësi
Dita ndërkombëtare e Sindromës Down e gjen Shqipërinë me probleme në shkollimin e tyre por edhe në punësim. Nga bizneset kërkohet që të jenë më shumë mikëpritës për këtë kategori, e cila ndesh në barriera për tu integruar në shoqëri.
Bizneset shqiptare duhet të trajnojnë stafin për të pranuar si pjesë të tyre personat me Sindromën Down.
Flavia Shehu, përfaqësuese e Fondacionit Down Syndrome Albania e sheh me shqetësim numrin e vogël të personave të angazhuar në punë.
"Mjafton të jetë një punë që është disi rutinore, ka instruksione të qarta dhe është plotësisht e akesueshme dhe e bëshme. Mund të jetë një pozicion kopshtar, sekretar, mund të jetë një pozicion në magazinë ku të palosë rroba. Punë, të cilat i bëjmë të gjithë."
Arsimi gjithashtu ka më shumë nevojë për vemëndje.
Shërbimet terapeutike që janë të rëndësishme për këtë kategori nuk janë të mjaftueshme dhe nuk plotësojnë nevojat e të gjithëve, ndaj kërkohen një ndërhyrje e menjëherëshme.
"Sistemi arsimor ka shumë problematika, duke nisur nga kopshtet ku jo të gjithë fëmijët me Sindromën Down që janë në kopshte kanë mësuesin ndihmës, atë që i jep një shtysë në zhvillim e tyre. Kjo gjë vazhdon dhe me shkollat ku numri i mësuesve ndihmës është rritur vitet e fundit por është totalisht i pamjaftueshëm akoma sepse qëndrojnë me orar shumë të kufizuar në klasa."
Në vendin tonë janë rreth 800 persona me Sindromën Down dhe bazuar në reformën e re të vlerësimit, jo të gjithë mund të përfitojnë kujdestarë.
Në ditën ndërkomëbtare të kësaj Sindrome, përfaqësues të shoqateve në mbrojtje të të tyre, kërkojnë më shumë angazhim nga shteti për ti ndihmuar të integrohen në shoqëri.


