“Po prodhohet tepricë energjie”, Duleviç: Deklarata e ministres Balluku për fashën 800 kW/h nuk zë vend

Azmer Duleviç ekspert për çështjet e energjisë në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj fol rreth situatës elektroenergjitike në vend.

Sipas tij sistemi elektroenergjitik paraqitet i qëndrueshëm.

Eksperti thotë se ka tepricë energjie por ajo po shitet me një çmim të ulët. Sipas tij problem mbetet mungesa e një burse të tregtimit të energjisë.

Si paraqitet situate me sistemin elektroenergjitik?

Azmer Duleviç: Aktualisht sistemi elektroenergjitik paraqitet i qëndrueshëm. Po prodhohet energji madje teprica po shitet. Mbetet për tu diskutuar çmimi me të cilin shitet krahasuar me çmimin që e kemi blerë energjinë elektrike.

Pse shitet energji më lirë se është e kuotuar në bursa?

Azmer Duleviç: Në momentin që ne blejmë energji KESH i referohet bursës Hungareze. Në momentin që shet energji thotë që nuk i referohemi bursës Hungareze por ofertave që vijnë nga tregtarët. E dyta që është kryesore ne nuk kemi një bursë të tregtimit të energjisë elektrike dhe në momentin që kemi energji për të shitur nuk na e blen kush dhe kjo mbetet në dorën e ndërmjetësuesve të energjisë. Dhe ndërmjetësit  nuk janë publik. Është një situatë jo transparente që ngre pikëpyetje.

A mund të themi se nuk do të jetë një dimër krize?

Azmer Duleviç: Sa i përket muajit dhjetor dhe janar nuk ka krizë pasi rezerva mjafton për prodhimin vendas situate mbetet për tu parë pas muajit janar.  Të paktën për dimrin është e siguruar energjia që na nevojitet për konsum të përditshëm. Deklarata e ministres Balluku sot që po përmendte sërish fashën  800 kW/h, kjo fashë nuk duhet të përmendet në këtë situatë ku ndodhemi. Në këtë moment nuk zë vend dhe besoj se do të jetë thjesht çështje propaganda.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET