Paketa e masave, Greca: 59 plane vendore për planifikimin e territorit në fuqi

Baza e të dhënave për planifikimin e territorit është shumë e më e plotë dhe e sofistikuar, ndërsa planifikimi 2.0 synon një qasje drejt trajtimit të territorit si asetin më të vyer.

Kështu u shpreh Adelina Greca, drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit gjatë aktivitetit të prezantimit të paketës së masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Greca tha se planifikimi i territorit në Shqipëri ka prekur gjithë territorin në mënyrë hierarike.

“Në vitin 2014-2015 ka nisur me analizimin e territorit si një trup me jetë, me studimin e metabolizmit të Shqipërisë. Ka vijuar paralelisht me hartimin e planit të përgjithshëm të territorit, njëkohësisht plani i parë i këtij lloji “Shqipëria 2030”. Ka vijuar me dy plane ndërsektoriale të integruara të territorit, për dy zonat më të rëndësishme ekonomike dhe të turizmit, si korridori Tiranë-Durrës dhe brezi bregdetar Adriatiko-Jonian dhe më pas ka vijuar me hartimin e 61 planeve vendore për 61 bashkitë e reja të vendit, nga të cilat sot kemi në fuqi 59 prej tyre dhe në përfundim dy të fundit”, tha Greca.

Sipas saj, “planifikimi i territorit në këto përmasa, ka ndodhur në një kohë relativisht të shkurtër, nëse do krahasohej me kohën që merr planifikimi i territorit në vende të zhvilluara”.

“Baza e të dhënave sot është shumë e më e plotë dhe e sofistikuar, ndërsa sistemi ynë është ende në formim. Gjithashtu, pjesëmarrja e grupeve të interesit është një traditë e shtresëzuar dhe mirëfunksionale. Me këto dy sfida themelore, mungesën e të dhënave bazë për të planifikuar mirë dhe mungesën e traditës së pjesëmarrjes në procese të strukturuara të komunitetit kemi bërë një punë të mirë dhe të lavdërueshme”, u shpreh Greca.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit nënvizoi faktin se se planifikimi 1.0 ka shërbyer për tri aspekte kryesore, ka ndihmuar për të njohur territorin tonë, për të ngritur një sistem planifikimi me bazë të dhënash kombëtare dhe për të krijuar kulturën e konsultimit me planet e territorit, por para ndërmarrjes së hapave me pronën si shitblerje, apo zhvillimit të saj për leje zhvillimi dhe ndërtimi.

“E-harta është një platformë praktike për t’u përdorur nga grupet e interesit, por edhe qytetarët me bazë foton ajrore të google. Kjo platformë është në funksion që nga viti 2018 dhe në ditë regjistrohen rreth 1200 kërkime, ndërsa në muajin gusht u regjistruan 1000 kërkime. Ky është një tregues i rëndësishëm i një kulture në fillimet e saj, por e vendosur në shina”, vijoi Greca.

“Krijimi i sistemit për të ruajtur të të dhënat sektoriale si dhe ndërlidhja e sistemeve për t’i bërë të përdorshme nga të gjithë është thelbësore në këtë proces. Njëherësh, përfundimi i regjistrit elektronik të pronës digjitale të pronës për gjithë territorin dhe vendosja në funksion të gjithë procesit të planifikimit është një domosdoshmëri dhe mungesa e tij e vështirëson procesin planifikues”, shton Greca.

Në fund të fjalës së saj, Greca u shpreh se “planifikimi i territorit 2.0 do të mendohet me një qasje rajonale për të përfituar sa më shumë nga burimet njerëzore që ekzistojnë dhe ata që trajnohen”.

“Praktika 2.0 e territorit është e lidhur me praktikën sistemike të institucioneve për t’u kujdesur për territorin në shkallë makro dhe mikro, ku territorin që njohim e trajtojmë si asetin më vyer që kemi”, tha Greca.

EMISIONET