Operatorët celularë i shumëfishuan fitimet për vitin 2024 nga rritja e çmimeve së paketave

Fitimi i operatorëve celularë në vend u rrit ndjeshëm vitin e kaluar. Sipas informacionit të raportuar në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për vitin e kaluar Vodafone Albania arriti një fitim neto në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, ndërkohë që një vit më parë kishte realizuar një fitim neto prej rreth 300 milionë lekësh.
Një fitim më të vogël ka raportuar operatori i dytë One Albania, por që gjithashtu e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me një vit më parë. Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2024 me një fitim neto në vlerën e 476 milionë lekëve, nga 70 milionë lekë që kishte qenë rezultati i raportuar një vit më parë.
Në total, dy operatorët celularë fituan afërsisht 1.68 miliardë lekë për 2024, ndërsa viti 2023 ishte mbyllur me një fitim neto në vlerën e 370 milionë lekëve.
Me këtë shifër, dy operatorët celularë kanë arritur fitimin më të lartë që prej vitit 2019.
Në mungesë të pasqyrave të detajuara financiare, mund të vlerësohet se rritja e çmimeve të shërbimeve të komunikimit po ndikon pozitivisht bazën e të ardhurave të operatorëve dhe rritjen e fitimeve të tyre.
Ulja e numrit të operatorëve celularë nga tre në dy, por edhe rezultatet e pakënaqshme financiare të tyre kanë sjellë shtrenjtimin gradual të paketave të komunikimit.
Pas vitit 2022, operatorët celularë i kanë rritur çmimet për paketat bazike të komunikimit me parapagesë me të paktën 100-200 lekë, por ndërkohë kanë ulur njësitë e përfshira të komunikimit në to, si një formë për të nxitur përdoruesit të lëvizin drejt paketave me çmim më të lartë.
Ndërkohë, në fillim të vitit 2024, të dy operatorët celularë, kanë përcaktuar në kushtet e përgjithshme të kontratës të drejtën e tyre për të indeksuar çdo vit çmimin e paketës me inflacionin mesatar vjetor, sipas shifrës së publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për vitin paraardhës.
Megjithatë, sipas AKEP, Vodafone Albania nuk e ka aplikuar klauzolën në vitin e kaluar, ndërsa One Albania e aplikoi atë më datë 1 qershor 2024, por vetëm për pajtimtarët e kategorisë Biznes.
One Albania ka informuar AKEP-in se klauzola e IÇK-së u zbatua për 15,126 pajtimtarë individualë të kategorisë biznes dhe 3,265 subjekte biznesi të regjistruar me NIPT, zotërues të 195,282 numrave celularë.
Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 27.93 miliardë lekë, në rritje me 8.9% krahasuar me një vit më parë.
Në ndarjen e tregut sipas xhiros së gjeneruar nga segmenti celular, Vodafone Albania ka thelluar dominimin e vet, me rreth 58% të totalit të tregut, nga 56% që mbante një vit më parë
Të ardhurat e gjeneruara nga ofrimi i shërbimeve celulare me shumicë përbëjnë rreth 18% të totalit të të ardhurave dhe pjesa tjetër rreth 82% gjenerohen nga tregu i pakicës.
Të dhënat e AKEP tregojnë se numri total i abonentëve celularë ose kartave SIM në fund të vitit 2024 arriti në rreth 3.4 milionë, e thënë ndryshe çdo banor në Shqipëri posedon rreth 1.4 karta SIM, shifёr kjo mё e lartё se mesatarja europiane prej 1.25 karta SIM pёr banorё.
Ndërsa, numri i kartave SIM aktive (numri i kartave tё përdorura për të kryer komunikime elektronike gjatë tre muajve të fundit) arriti në rreth 2.5 milionë, në rënie vjetore me 3.8%./ Monitor



