Nafta shkoi 260 lekë/litri, Qeveria s'do të ndërhyjë për të ulur tvsh apo taksat në karburant

Qeveria nuk do të ndërhyjë për të ulur tvsh apo taksat në karburant. Edhe pse prej rritjes së çmimeve në buxhetin e shtetit ka më shumë të ardhura. Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj deklaroi sot se nuk dihet ende ndikimi në një periudhë afatgjatë. Pas mbledhjes së qeverisë ai shton se do ketë paketë ndihmash apo subvencione në momentin që do të jetë e nevojshme.

Tirane - Rritja e çmimit të karburanteve, e cila këtë javë shkoi në rreth 260 lekë litri nuk ka sjellë reagimin e qeverisë për uljen e tvsh apo të taksave.

I pyetur nga mediet, sot paradite pas mbledhjes së qeverisë, zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj shprehet se në buxhet ka më shumë të ardhura si pasojë e taksës së vlerës së shtuar, por ai shtoi se ky është vetëm rezultat në tre muaj dhe se nuk është e qartë se si do të pasqyrohet në të ardhmen

Arben Ahmetaj: Ajo që ju u referoheni se ka të ardhura nga tvsh, ka një reflektim tek të ardhurat e buxhetit, risku, prandaj qeveria I rri në kokë, është që inflacioni dhe çmimet fusin ekonominë në një qerthur negativ më vonë.
E dyta: Të gjitha të ardhurat shtesë duhet të gjykohen në hapësirën e një viti, se jemi vetëm tre muaj. Parashikojmë por nuk e dimë saktë çfarë do të ndodhë. Jemi të përgatitur që buxheti i shtetit të përballojë të gjithë detyrimet që ka me pensionistët, subvencionet që japim grupet sociale.

Ahmetaj thekson se shkak për krizën është bllokimi i tregjeve për shkak të agresionit rus në Ukrainë, duke shtuar se kriza do të jetë e gjatë. Me këtë argument ai shton se duke analizuar në çdo muaj do të miratohen paketa shtesë ndihme dhe subvencionesh.

Arben Ahmetaj: Qeveria punon çdo ditë.Sot morëm mbi 22 detyra për përballimin e krizës. Është një krizë e shkaktuar nga njeriu. Do të përdorim të gjitha instrumentet e duhura. Çdo instrument që funksionon për të monitoruar dhe frenuar me instrumentet e tregut dhe ato që ka administrata që të mos ketë abuzim do të vijojnë të funksionojnë.

Pas mbledhjes së qeverisë Ahmetaj shtoi se në tre muaj qeveria miratoi ndihmën për pensionistët duke u dhënë 3 mijë lekë në muaj për të kompensuar rritjen e çmimeve.

EMISIONET