Lahe: Shëndeti mendor mbetet i pambështetur! Shërbimet komunitare dhe kujdesi në banesë ende pa buxhet

Në emisionin Alert në “Ora News”, moderuar nga Granit Sokolaj, në temën “Raporti i KE për Shqipërinë vs Konsumatorët”, e ftuara Alma Lahe, Menaxhere Projekti në “Together for Life”, u ndal te shërbimet që mungojnë ende në sistemin shëndetësor shqiptar, veçanërisht shëndeti mendor.

Lahe theksoi se raporti i Komisionit Europian përmend qartë mungesën e shërbimeve komunitare për shëndetin mendor, pavarësisht se Shqipëria ka në fuqi Planin e Veprimit 2023–2026 për këtë sektor. Sipas saj, vendi duhet të zgjerojë gamën e shërbimeve komunitare dhe të përmirësojë mekanizmat e monitorimit.

Ajo vuri në dukje se nuk ekziston një analizë e qartë që të tregojë nëse buxheti i deleguar për shëndetin mendor i përgjigjet nevojave reale të komunitetit ose sa është numri i përfituesve që duhet të mbulojë ky shërbim. Lahe shtoi se kostoja e shërbimeve në spitalet psikiatrike është e paunifikuar dhe shpesh nuk mbështetet në analiza reale të kostove, gjë që çon në planifikim të pasaktë buxhetor.

Ajo theksoi se, megjithëse flitet për modernizim të shërbimeve, ende shërbimi në banesë, i cili është thelbësor për shumë pacientë, nuk buxhetohet, dhe aktualisht ky zë ka 0 lekë fond në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo situatë, sipas saj, godet më shumë grupet vulnerabël, duke rritur pagesat nga xhepi dhe duke krijuar pabarazi në aksesin ndaj kujdesit.

Lahe apeloi që institucionet të adresojnë këto mungesa sa më shpejt, për të siguruar një sistem shëndetësor më të drejtë dhe funksional.

NDIQNI EMISIONIN ALERT NË “ORA NEWS”:

EMISIONET