Karakaçi: Tërheqja e ofertuesit nga Porto Romano, për arsye ekonomike! Projekti do të vijojë me një skenar tjetër
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi sot se tërheqja e operatorit të vetëm ofertues nga gara për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano lidhet me arsye ekonomike dhe rritjen e kostove të ndërtimit në tregun ndërkombëtar.
Në një deklaratë për mediet, Karakaçi u shpreh se ofertuesi i vetëm i mbetur në këtë procedurë është tërhequr nga gara duke argumentuar se rritja e kostove të ndërtimit dhe efektet e krizave të fundit kanë ndikuar në rritjen e kostos totale të projektit.
Sipas tij, pas këtij zhvillimi komisioni ka vijuar procedurat përkatëse, ndërsa qeveria do të punojë për të ndërtuar një skenar tjetër për realizimin e projektit.
Ministri kujtoi gjithashtu se pak ditë më parë edhe Kryeministri Edi Rama ka folur publikisht për këtë projekt, duke theksuar se ka aktorë të ndryshëm që përpiqen ta frenojnë apo ta sabotojnë atë.
“Ky është një projekt i rëndësishëm infrastrukturor për vendin dhe për zhvillimin ekonomik. Ka aktorë të ndryshëm që përpiqen ta frenojnë apo ta sabotojnë për arsye të ndryshme, përfshirë edhe arsye ekonomike. Ne do të ndërtojmë një skenar tjetër në bashkëpunim me qeverinë dhe çdo faktor tjetër përkatës, sepse ky projekt nuk mund të frenohet”, tha Karakaçi.
I pyetur nëse kishte dijeni për pretendime se kompania e vetme në garë mund të ketë pasur lidhje me aktorë rusë, ministri e cilësoi këtë si një aludim.
Sipas tij, gjatë gjithë procesit të prokurimit autoritetet përkatëse kanë ndjekur procedurat dhe standardet e nevojshme të verifikimit.
“Gjatë gjithë procesit të prokurimit për këtë garë, Autoriteti Portual Durrës është konsultuar dhe ka pasur kontratë të posaçme konsulence me një nga kompanitë më të mëdha në botë në fushën e porteve, kompaninë holandeze Royal HaskoningDHV. Dokumentet ligjore kanë qenë pjesë e vlerësimit dhe nëse do të kishte ndonjë ndërlidhje të tillë, do të ishte evidentuar gjatë procesit të verifikimit”, u shpreh ai.
Lidhur me pretendimet se Dhoma Amerikane e Tregtisë ka ngritur shqetësime për projektin, të publikuara në media, Karakaçi tha se është në dijeni të raportimeve mediatike, por theksoi se projekti i portit të ri në Porto Romano është përgatitur prej më shumë se dy vitesh me konsulencën e kompanisë ndërkombëtare Royal HaskoningDHV.
Sipas tij, projekti ka kaluar të gjitha fazat procedurale dhe është hartuar sipas standardeve ndërkombëtare, ndërsa çdo palë e interesuar ka pasur mundësinë të shprehë opinionet e saj mbi zhvillimin e tij.
Ministri u pyet gjithashtu nëse tërheqja e kompanisë nga gara mund të krijojë vonesa për projektin e Durrës Marina.
Karakaçi sqaroi se projekti i Marinës po zhvillohet sipas planit dhe është i ndarë në disa faza, ndërsa punimet aktuale nuk lidhen drejtpërdrejt me pjesën e portit tregtar.
“Nuk ka vonesa për projektin e Marinës, pasi ai është i ndarë në disa faza dhe kontraktori është duke punuar në fazën e parë, e cila nuk lidhet me pjesën e portit”, tha ai.
Kosto për ndërtimin e portit të ri të Porto Romanos ishte në vlerën 393 milionë euro pa TVSH. Tenderi është hapur disa herë që prej 2021. Në garën e hapur në dhjetor të 2024-ës, u paraqitën 5 konsorciume dhe vetëm njëra prej tyre ka kaluar në fazën finale për të paraqitur një ofertë teknike dhe ekonomike. Afati për këtë garë u mbyll këtë 9 mars në orën 14.00. Bashkimi i operatorëve “Archirodon Construction Company Limited – Deme Dredging nv – Società Italiana Dragaggi s.p.a” nuk paraqiti ofertën financiare.


