JA KUOTAT/ Studimet në Akademinë e FA-së, deri në 29 gusht afati për dorëzimin e dokumentacionit

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu kujtoi sot se deri në datën 29 gusht është afati i dorëzimit të dokumentacionit për këdo që do të aplikojë për të ndjekur studimet në Akademinë e Forcave të Armatosura.
Qendra e Personel Rekrutimit do të rekrutojë kandidatë për të ndjekur studimet për përgatitjen e oficerëve të rinj në Akademinë e Forcave të Armatosura, për vitin akademik 2025 – 2026, për 60 të drejta studimi.
Ministri Vengu ftoi të aplikojnë të gjithë ata që duan të provojnë sfidën dhe nderin e uniformës.
“Forcat e Armatosura hapin dyert për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, deri në moshën 29 vjeç. Ushtarë detarë, ajrorë, aktivë. Periudha e rekrutimit: 20 tetor – 31 dhjetor 2025. Afati për dorëzimin e dokumentacionit: 29 gusht 2025”, bëri të ditur ministri Vengu.
Kursi i Përgatitjes së Oficerit, sipas ministrit Vengu përfshin 60 kuota studimi në kursin përgatitor 9-mujor të Akademisë së Forcave të Armatosura 2025–2026 në fusha të tilla si
mjekësi, inxhinieri, ndërlidhje, logjistikë, këmbësori e shumë specialitete të tjera.
Konkretisht sipas specialiteteve ofrohen:
Ndërlidhje - 15 Kuota (Fakulteti i Inxhinierisë Elektronike, IT, Telekomunikacion, Inxhinieri Informatike, Kompjuterike, Mirëmbajtje rrjeti dhe Programim);
Logjistikë - 7 kuota (Fakulteti Ekonomik, Financë, Menaxhim);
Inxhinieri - 10 kuota (Gjeodezi, Mekanikë, Transport);
Xhenio/Infrastrukturë - 5 kuota (Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit);
Mjekësi - 3 kuota (Mjekësi e Përgjithshme);
Shkenca Mjekësore - 2 kuota;
Kimi - 5 kuota (ushqimore, industriale);
Këmbësori - 13 kuota (Diplomë bachelor në fusha të tjera).


