INVESTIGIMI/ Mashtrimi i AKU-t për sekuestrimin e rrushit me pesticidin e rrezikshëm. “Ora News” zbardh faktet TRONDITËSE
Pas dështimeve spektakolare të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për garantimin e sigurisë ushqimore ky institucion po përballet me një tjetër skandal.
Në datën 19.9.2025, AKU ka njoftuar se te produkti “rrush i kuq francez”, i importuar nga Greqia, pas analizimit është konstatuar prani mbi normë të mbetjes së pesticidit “Propamocarb”, me risk për shëndetin e njeriut.
Sipas burimeve zyrtare, pranë këtij institucioni sasia e importuar e rrushit është 882 kg dhe sasia e bllokuar 747 kg.
Nga një investigim i thelluar i “Ora News” rezulton se produkti nuk është “rrush i kuq francez”, sikurse shprehet AKU në njoftim, por rrush tavoline.
Në deklaratën doganore të siguruar nga “Ora News” produkti etiketohet si rrush tavoline, me të njëjtën emërtesë ky rrush ka shkuar edhe për t’u analizuar, ky fakt i pranuar zyrtarisht nga AKU.
Pas marrjes së informacionit se rrushi duhet të tërhiqet nga tregu, inspektorët janë bërë palë me subjektin.
Burime për “Ora News” bëjnë me dije se subjekti ka deklaruar se rrushin e ka shpërndarë në rrjetin më të madh të supermarketeve në Shqipëri.
Pas inspektimit të kryer nga AKU ka rezultuar se ky produkt nuk është bërë hyrje në supermarketet që pretendonte subjekti importues.
Pra, produkti nuk është gjetur në këto supermarkete. Ky fakt pranohet zyrtarisht edhe nga AKU, në përgjigje të kërkesës tonë për informacion.
Si mundet që të bllokohet rrushi kur nuk dihet se ku ka përfunduar?
Kjo krijon dyshime te arsyeshme se rrushi është konsumuar nga qytetarët shqiptarë dhe për të mbuluar skandalin është asgjësuar një tjetër sasi rrushi.
Por ajo që kalon kufijtë e skandalit është fakti që AKU nuk ka njoftuar zyrtarisht drejtoritë e tjera rajonale ku është shpërndarë rrushi që i ka rrezikuar jetën konsumatorit.
Televizioni “Ora News” i ka kërkuar AKU të na vërë në dispozicion një kopje të njoftimeve që ka dërguar në qytetet ku është shpërndarë ky produkt.
Ky institucion nuk na vë në dispozicion një kopje të njoftimeve dhe shprehet se këtë njoftim e ka bërë vetë subjekti importues.
Pra, institucioni që pretendohet se garanton sigurinë ushqimore në vend, njofton të gjitha vendet e Evropës që të heqin produktin nga qarkullimi, por nuk njofton Drejtoritë Rajonale në Shqipëri ku ështe shpërndarë ky produkt.
Meqenëse AKU pretendon së e ka bllokuar rrushin me pesticide po e njohim me një fakt që ky institucion, ose nuk e di, ose e fsheh.
AKU zyrtarisht nuk e di që ky produkt është shpërndarë edhe në Palasë të Vlorës, ndërkohë që ne po publikojmë faturën që ky produkt është tregtuar edhe në këtë qytet.
Si mundet të jetë bllokuar dhe asgjësuar një produkt kur AKU ende nuk e di se ku është shpërndarë?
Përgjigjen e kësaj pyetje e presim nga Drejtuesi i këtij institucioni, Manush Kullolli.



