Investigimi i BIRN: Toka e premtuar: Kostot e rreziqet e rrugëtimit të paligjshëm drejt Anglisë
Veriu i Shqipërisë po përballet me një valë migrimi drejt Mbretërisë së Bashkuar, që ka rrënjë në kushtet e vështira socio-ekonomike, mungesën e shërbimeve, të arsimit cilësor dhe meritokracinë. Megjithatë, pas udhëtimit të rrezikshëm të paligjshëm drejt Anglisë, shumë emigrantë zbulojnë se jeta atje është shumë ndryshe nga ajo që u paraqitet në rrjetet sociale.
Në korrik të vitit 2022, pas dy javësh të trazuara në pritje të qetësimit të detit, E.K. nga Elbasani hipi në një gomone të vogël në veri të Francës, me djalin e saj 5-vjeçar të mbështjellë fort në krahë.
“Përpiqesha ta mbaja mbështjellë në krahët e mi, për ta ngushëlluar sadopak dhe për ta mbrojtur nga ky udhëtim i rëndë, duke e mbledhur dhimbjen përmes përqafimit,” tha ajo në një intervistë nga zona Woodgreen në veri të Londrës, me zërin që barte peshën e orëve të kaluara mes shpresës dhe dëshpërimit. “Ky ka qenë përqafimi më i gjatë që kam dhënë ndonjëherë, rreth 8 orë udhëtim drejt Anglisë me gomone, mespërmes një deti të trazuar dhe nën dritën e hënës,” shtoi E.K.
Ashtu si E.K., mijëra shqiptarë kanë ndërmarrë në pesë vitet e fundit rrugën e rrezikshme të kalimit të paligjshëm nga veriu i Francës drejt Anglisë me gomone të vogla. Të dhënat tregojnë se viti 2022 shënoi kulmin e kësaj vale migrimi të paligjshëm, kryesisht nga veriu i Shqipërisë drejt Mbretërisë së Bashkuar. Kjo prirje ka pësuar më pas rënie falë bashkëpunimit të forcuar policor, politikave më të ashpra të azilit në Mbretërinë e Bashkuar dhe zgjerimit të mundësive të migrimit në vende të tjera të BE-së. Megjithatë, gomonet janë vetëm një nga mënyrat për të mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme. Edhe pse më e kushtueshme, kalimi përmes kamionëve dhe dokumenteve të falsifikuara mbetet një metodë e zakonshme për të siguruar hyrjen në tokën britanike.
Ndonëse qeveria britanike po investon miliona në programe që synojnë të bindin të rinjtë shqiptarë të qëndrojnë në vendin e tyre, rrjetet sociale dhe kushtet e vështira socio-ekonomike në veriun e varfër të Shqipërisë vazhdojnë të nxisin migrimin. Burrat kryesisht largohen për arsye ekonomike, ndërsa gratë për bashkim familjar. Ajo që e dallon këtë valë është numri në rritje i shqiptarëve të arsimuar mes emigrantëve. Pas mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar, shumë prej tyre përballen me realitete të vështira. Kostoja e lartë e udhëtimit shpesh i detyron një pjesë prej tyre të përfshihen në aktivitete të paligjshme për të mbuluar borxhet, ndërsa disa i reklamojnë të ardhurat e tyre tek miqtë dhe të afërmit në rrjetet sociale, duke e bërë migrimin dhe përfitimet prej tij më tërheqëse.
Redion Qirjazi, drejtues i Fondacionit “Mary Ward Loreto” në Shqipëri, shprehet se rrjetet sociale nuk janë vendimtare, por mbeten “një katalizator i fortë në valët e emigracionit masiv, sepse ulin perceptimin e riskut.”
“Të rinjtë që fitojnë pasuri të shpejtë në mënyrë të paligjshme kanë një tendencë për të amplifikuar pasurinë e arritur dhe më pas për ta postuar në rrjete sociale,” tha ai. “Kjo në thelb tregon pasigurinë dhe mospërmbushjen e brendshme; pra, ti do t’i tregosh shoqërisë se ja dola, ja arrita,” shpjegoi Qirjazi.
Rrugët e paligjshme për në Mbretërinë e Bashkuar
Në vitin 2022, Shqipëria kryesonte listën e vendeve nga vinin emigrantët për në Angli, me mbi 17,300 persona që kërkonin azil. Rreth 95% e tyre mbërritën mes muajve Maj-Tetor 2022, dhe tre të katërtat e tyre përdorën gomone për të kaluar në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Të dhënat e siguruara nga ‘Home Office‘ përmes një kërkese për informacion tregojnë se gjatë katër viteve të fundit, viti 2023 ka regjistruar numrin më të lartë të shqiptarëve të riatdhesuar, me 1,934 shqiptarë të kthyer – një rritje prej 98% krahasuar me vitin 2020. Megjithatë, 57% e këtyre rasteve përfshinin kthime vullnetare, përkundër atyre të detyruara nga autoritetet britanike. Deri në qershor të vitit 2024, vetëm 106 shqiptarë kanë udhëtuar me gomone drejt Anglisë. Vetëm 6% e shqiptarëve që kanë udhëtuar me gomone kanë marrë përgjigje pozitive për azil nga autoritetet britanike deri në qershor 2023, krahasuar me vetëm 2% për të njëjtën periudhë të këtij viti.
Dr. Andi Hoxhaj, lektor i ligjit në King’s College London, shprehet se arsyeja e rënies së numrit të shqiptarëve që emigrojnë ilegalisht në Britaninë e Madhe lidhet me bashkëpunimin ndërmjet agjencive ligjzbatuese.
“Marrëveshja midis SPAK dhe ‘National Crime Agency‘ ka synuar në mënyrë specifike grupet kriminale që organizonin migrimin e paligjshëm në Britani dhe janë identifikuar më mirë e më shpejt për shkak të shkëmbimit të informacionit midis dy shteteve,” shpjegoi Hoxhaj, duke shtuar se shqiptarët po eksplorojnë opsione të tjera për emigrim. “Gjermania vitin e kaluar e ka bërë më të lehtë për qytetarët nga Ballkani të zhvendosen dhe të punojnë atje, ashtu siç mund të bënin në Britani,” shtoi ai.
Format e udhëtimit të paligjshëm drejt Britanisë janë të ndryshme, përfshirë transportin me gomone, me kamion dhe avion nga aeroporte të ndryshme përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Djemtë përdorin kryesisht gomonet dhe kamionët pa dijeninë e shoferit, ndërsa vajzat udhëtojnë me pasaporta të falsifikuara dhe zakonisht përdorin kamionë me dijeninë e shoferit, duke zgjedhur kështu forma transporti më të sigurta për jetën, edhe pse më të kushtueshme.
Një shembull është 27-vjeçari nga Kamza, Brahim Tusha, i diplomuar me master shkencor në shkencat sociale, i cili nuk zgjodhi as gomonen dhe as kamionin. Ai u nis nga Tirana me autobus për në Itali, pastaj në Spanjë, me synimin për të arritur në Angli. Më 7 nëntor 2021, me një pasaportë të falsifikuar holandeze ai arriti të kalojë kontrollet e aeroportit në Zaragoza dhe të mbërrijë në aeroportin Stansted të Londrës.
“Emocionalisht isha i përgatitur, sepse që kur arrita, vendosa ta testoj pasaportën tek porta e sigurisë dhe pashë që nuk hapej. Atëherë shkova direkt tek zyra qendrore dhe u thashë: ‘Më falni, por jam ilegal, ky jam unë. Nuk jam ky i letrave,’ dhe në të njëjtën kohë nxora pasaportën origjinale shqiptare nga çanta,” kujton Brahimi.
Jonida G., 27 vjeç, nga Kukësi, rrëfeu në një bisedë telefonike njëorëshe udhëtimin e saj drejt Britanisë tre vite më parë. Ajo tregoi se u nis nga Franca dhe udhëtoi nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 3 të pasdites, duke qëndruar në kabinën e shoferit të një kamioni së bashku me një vajzë tjetër nga Burreli, të cilën nuk e njihte më parë. Të dyja ishin të shtrira; aty ku Jonida kishte kokën, vajza tjetër kishte këmbët, dhe anasjelltas. Udhëzimet e tyre ishin të qarta: të mos flisnin fare, sidomos gjatë kontrolleve.Vendi ku ndodheshin ishte në terr të plotë, pa asnjë pamje përpara.
“Aty ku ishim ne ishte terr,” tha Jonida, duke shtuar se “nuk shikoje asgjë.” “Kam menduar disa herë për vdekjen aty,” kujtoi ajo.
Burrat, pas mbërritjes në Britani, e kanë më të lehtë të gjejnë punë dhe zakonisht angazhohen në punë që kërkojnë angazhim fizik si ndërtimtari, larje makinash, lyerje, etj., ndërsa gratë kujdesen për fëmijët dhe kryesisht punojnë në fusha që lidhen me estetikën, kozmetikën dhe shërbimin ndaj klientit. Djemtë marrin vetë vendimin për të emigruar për të filluar një jetë të re dhe zakonisht i pret një i afërm ose mik. Ndërsa vajzat, në shumicën e rasteve, emigrojnë për të krijuar familje; emigrimi nuk është iniciativa e tyre dhe kanë një rol mbështetës, duke i pritur zakonisht partnerët e tyre, të fejuarit ose bashkëshortët.
Jetmira.I. tregon se arsyeja e vetme pse ndodhet në Angli është bashkëjetesa me partnerin – pas një viti fejesë duke jetuar larg njëri-tjetrit. “Erdhi një moment kur po kalonim më shumë kohë larg njëri-tjetrit sesa bashkë,” tha ajo, duke treguar se udhëtoi ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar me kamion në vitin 2021. “Kam punuar në fushën e estetikës, duke lyer thonj, deri në periudhën e shtatzënisë,” tregoi Jetmira.I. “Duke dëgjuar shpesh për Anglinë, na dukej sikur e kishim afër, pas dere, por në realitet nuk e kisha menduar ndonjëherë veten këtu,” shtoi ajo.
Flamur C., nga Kukësi, i cili jeton prej rreth pesë vitesh në Britani dhe ndan një shtëpi me qira me një çift shqiptaro-britanik, shpjegoi se udhëtimi drejt Britanisë, përveç të gjitha peripecive, ka një qëllim përfundimtar: marrjen e nënshtetësisë. Për shumicën e emigrantëve shqiptarë që zgjedhin emigrimin ilegal, ky proces është i vështirë për t’u realizuar. Mënyrat që përdorin shqiptarët për të përfituar nënshtetësinë britanike janë të ndryshme, por më e njohura është përmes martesave fiktive me shtetase britanike. Sipas Flamurit, martesa fiktive ka një kosto të lartë, mbi 20 mijë paund, dhe kërkon kohë.
“Kjo mënyrë është e zakonshme midis atyre që kanë para të gatshme dhe që janë angazhuar në trafikimin e lëndëve narkotike,” tha ai. “Është sfiduese për dikë të paguajë shpenzimet e transportit dhe të mbulojë koston e martesës fiktive për një periudhë të shkurtër kohe,” shtoi Flamuri.
Migrimi largon të rinjtë nga shkolla
Eraldi, një 14-vjeçar nga fshati Kodër-Lumë, rreth 5 kilometra në juglindje të qytetit të Kukësit, tregon se është i vetmi i mbetur nga shokët e tij në fshat. “Të gjithë kanë ikur në Angli,” ankohet ai, ndërsa më tregon vilat që kanë ndërtuar dhe makinat me targa të verdha të parkuara në oborre. “Kam vendosur tela në dhëmbë dhe kjo më ka vonuar,” shtoi ai, duke theksuar: “Po pres t’i heq dhe pastaj do të ik edhe unë.”
Qarku i Kukësit është vendosur në qendër të vëmendjes për mediat vendase dhe britanike, lidhur me emigracionin dhe ndikimin e tij socio-ekonomik. Zbrazja e shkollave në bashkinë e Kukësit është një tregues i qartë i valës së migrimit me të cilën përballet ky qytet.
Në vitin 2014, Kukësi kishte 80 shkolla 9-vjeçare, ndërsa në vitin 2024 ky numër ka rënë në 68, me një shkollë që mbyllet çdo vit. Ndërkohë, rreth 15 shkolla vartëse 9-vjeçare kanë më pak se 6 nxënës dhe rrezikojnë të mbyllen gjatë këtij sezoni ose në vitet e ardhshme. Gjimnazi “Havzi Nela,” dikur një ndër më të mëdhenjtë në veri të Shqipërisë, sot ka rreth 874 nxënës, nga 1267 në vitin 2014.
Sipas mësuesve, sidomos atyre që punojnë në zona rurale, arsimi në qarkun e Kukësit po kalon ditë të vështira për shkak të humbjes së interesit për mësim. “Vetëm një përqindje e vogël e nxënësve ka ende interes për arsimim,” thotë z. Muslia, mësues në shkollën 8-vjeçare të fshatit Orgjost. Ai vëren se kjo mungesë interesi vjen si pasojë e mungesës së investimeve në arsim, mungesës së tregut të punës dhe ndikimit të militantizmit politik në administratën shtetërore.
Në përvojën e tij prej më shumë se një dekade, Muslia ka vërejtur se situata në shkollat e Kukësit përkeqësohet çdo vit. “Disa nga shkollat ku kam punuar janë në rrezik mbylljeje për shkak të rënies drastike të numrit të nxënësve, si pasojë e uljes së lindshmërisë, emigracionit të të rinjve dhe emigrimit familjar,” përfundon ai.
Redion Qirjazi, ekspert në çështjet e emigracionit, thekson se anketimet e kryera në dekadën e fundit për veriun e Shqipërisë tregojnë një rënie graduale të cilësisë arsimore. Ai shpjegon se korrupsioni në arsim, mungesa e investimeve dhe paaftësia për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, edhe për ata me kualifikime, kanë ndikuar në uljen e besimit ndaj arsimit si institucion.
Eraldi shprehet se dëshiron të përfundojë gjimnazin, por më pas planifikon të largohet. Në klasën e tij, vetëm dy djem studiojnë rregullisht, por ai nuk kalon kohë me ta pasi flasin kryesisht për projekte. Pjesa më e madhe e nxënësve i bullizon këta djem për faktin që janë të vetmit që përkushtohen ndaj mësimeve.
“Kur isha 8 vjeç, veprimi i parë matematikor që kam mësuar ka qenë 15 – 8 = 7,” kujton ai. “Kjo, sepse dajat e mi më premtuan se, kur të bëhesha 15 vjeç, do të më merrnin në Angli,” përfundoi 14-vjeçari.
Koha e gjatë e kaluar në rrjetet sociale i ekspozon vazhdimisht të rinjtë shqiptarë ndaj një Anglie virtuale, e cila paraqitet si një spektakël mediatik, larg realitetit. Rrjete të ndryshme sociale, sidomos TikTok dhe Instagram, furnizojnë përditë të rinjtë me informacione rreth jetës në Angli, ku postimet janë përgjithësisht të kuruara dhe tërheqëse.
Një botë paralele u prezantohet të rinjve në rrjetet sociale për jetën në Londër, e mbushur me fasada të rreme si shumë para, rroba të shtrenjta, puro kubaneze, makina me motorë të fuqishëm dhe targa të personalizuara. Përmes këtyre imazheve, të rinjtë ushqehen me idenë e pasurimit të shpejtë, duke e parë emigrimin si alternativën e vetme për të arritur këtë synim. Ky prezantim shtrembëron perceptimin e tyre për vlerat e arsimit, duke e konsideruar atë si një faktor dytësor për të ardhmen e tyre, ose madje si një pengesë që vonon vendimin për të emigruar.
Profilet në rrjetet sociale të menaxhuara nga grupet kriminale ofrojnë informacione të ndryshme rreth emigracionit ilegal, duke filluar nga kostot e udhëtimit sipas mënyrës së transportit, itinerari që duhet ndjekur, dokumentacioni i nevojshëm për udhëtimin, afatet kohore, hotelet e rekomanduara gjatë periudhës së pritjes, zonat për t`u shmangur, dhe rrugët më të sigurta për kalimin e kufirit. Gjithashtu, këto profile ofrojnë këshilla për të rinjtë mbi sjelljen me punonjësit e policisë kufitare në rast ndalimi apo dyshimi për dokumentacion të rrejshëm.
Fation H., 32 vjeç, me origjinë nga Kukësi dhe banues në lagjen Southbank të Londrës, tregon se, ndërsa po përcillte nipin e tij 15-vjeçar për në Angli me avion nga Spanja, një nga kontaktet e tij i sugjeroi që nipi të vishte syze optike me numër zero. Ky detaj do t’i jepte një pamje më serioze, do të ndihmonte në uljen e ankthit dhe do ta bënte të dukej më shumë si shtetas evropian. I njëjti person i kishte ofruar edhe një tur virtual në Britani, duke e prezantuar me vendin, format e punësimit, mënyrat për të përfituar nënshtetësinë britanike dhe kontaktet me punonjës ligjorë në rast ndalimi për punë ilegale në fushën e lëndëve narkotike.
Brahim Tusha i vendosi kontaktet e para drejt emigrimit në Angli përmes rrjeteve sociale. Ai tregon se, rastësisht, pa një foto të një shoqeje në Angli dhe e pyeti se si kishte arritur atje. Ajo i shpjegoi mënyrën e udhëtimit, dhe më pas Brahimi kontaktoi trafikantët. Vëllai i tij më pas takoi dikë tjetër nga rrjeti i tyre në Angli. “Nuk është një grup kriminal; unë më shumë do ta quaja një grup pune që ne e kërkojmë vetë,” tha Brahimi, duke ndarë mendimin e tij për transportin ilegal drejt Britanisë.
Ai reflektoi se sot jetojmë në një botë digjitale, ku një produkt që promovohet shumë ka më shumë gjasa të shitet shpejt. Sipas Brahimit në atë kohë, Anglia ishte shumë e reklamuar në rrjetet sociale, dhe ai mendonte se mund të gjente një “parajsë” atje. “Por kur vjen këtu, përplasesh me një realitet krejt ndryshe,” tha ai. “Anglia nuk vlen aq sa vlera që ne paguajmë për të.”
Pas shqetësimeve të vazhdueshme të Home Office për ndikimin e rrjeteve sociale në trendin e emigracionit ilegal, në mars 2023, Tik Tok njoftoi një politikë të re si pjesë e qasjes së tolerancës zero. Kompania deklaroi se do të identifikojë dhe ndalojë automatikisht përdoruesit që kërkojnë fjalë kyçe dhe fraza të veçanta të lidhura me trafikimin e qenieve njerëzore dhe emigracionin ilegal. Duke parë dyndjen e emigrantëve rreth vitit 2022, qeveria britanike vendosi të financojë influencues shqiptarë në rrjetin social TikTok për të bërë thirrje që të mos ndërmerren iniciativa për emigrim ilegal.
Ndërsa mediat sociale paraqesin një pamje joshëse të jetës në Angli, realiteti i emigracionit është më kompleks dhe sfidues. Probleme të tilla si shoku kulturor, konkurrenca për punësim, izolimi social dhe kostoja e lartë e jetesës shpesh bien ndesh me versionet e idealizuara që qarkullojnë në rrjetet sociale.
Jonida G., 27-vjeçare nga Kukësi, tregoi se vështirësitë e saj nuk përfunduan me udhëtimin e paligjshëm 9-orësh me kamion. “Për herë të parë në jetën time, pasi erdha në Britani, për shkak të stresit dhe vetmisë, fillova të përdor antidepresantë për trajtimin e depresionit,” tha ajo. “Shumë faktorë më çuan në atë gjendje – paratë që kisha paguar për të ardhur në Angli, pasiguria për të ardhmen, intervistat e shpeshta me Home Office, vetmia në shtëpi si një nënë me dy fëmijë, si dhe jeta asociale dhe inaktive që bëja,” shpjegoi Jonida.
Statusi i emigrantit ilegal krijon kufizime në lëvizje dhe kontakte me komunitetin, kushte që shtojnë gjasat për frustrim dhe izolim social. Ndjesi të ngjashme përshkruan edhe F.C., 33 vjeç nga Kukësi, me arsim të lartë, i cili punon në ndërtim. Ai shprehet se fillimi ishte i vështirë, pasi nuk kishte punuar asnjëherë në këtë lloj pune dhe ndiente ndryshimin e madh në kulturë dhe formim mes njerëzve që e rrethonin dhe atyre që kishte lënë pas në Shqipëri. “Çohem në orën 6 të mëngjesit dhe kthehem në orën 7 të mbrëmjes në shtëpi,” tha F.C. “Po bëj 5 vite që nuk kam lexuar një libër,” shtoi ai, duke përshkruar rutinën si “robotike.”
Rigels.H. u largua nga Shqipëria katër vite më parë dhe pagoi 17 mijë paund për të arritur në Angli. Të njëjtën shumë pagoi edhe për bashkëshorten, e cila iu bashkua një vit më vonë. “Kur arrita, qëndrova 10 ditë në një shtëpi të pabanur në zonën Derby,” kujtoi ai.
Edhe Brahim Tusha filloi punën në ndërtim menjëherë pas mbërritjes në Angli, për të shlyer borxhin prej 16 mijë paundësh që kishte marrë për të mbuluar kostot e transportit ilegal nga Shqipëria. “Punoja çdo ditë, pra 7 ditë të javës, me orare të plota dhe ndonjëherë edhe jashtë orarit,” tha ai, duke shtuar se jeta e tij është “shumë e vështirë.” “Më mungon familja, bëj një jetë mekanike,” shpjegoi Brahimi. “Më duket sikur jetoj nëpër trena dhe jam në nxitim gjithë kohës,” u shpreh ai në një kafene në qendër të Londrës.
Sipas Dr. Rachel Alsop, Lektore e Lartë dhe Anëtare e Akademisë së Arsimit të Lartë, të rinjtë shqiptarë që janë në proces azili në Britani përjetojnë dhe përballen me një sërë traumash, të shkaktuara nga faktorë të akumuluar ndër vite dhe nga sistemi i azilit në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo shton se sistemi i azilit duhet të ndryshojë dhe të sigurojë mbështetje të duhur, duke përfshirë shërbime psikologjike, strehim të sigurt dhe ndihmë financiare, ndërkohë që procesi i kërkesës për azil të trajtohet në mënyrë transparente dhe pa vonesa.
“Ofrimi i të drejtës për punë për azilkërkuesit shqiptarë u jep atyre mundësinë për të mbështetur veten, për të jetuar me dinjitet, për të fituar dhe zhvilluar aftësi dhe për të kontribuar pozitivisht në komunitet,” theksin Alsop.
Sipas Andi Hoxhajt, ekspert ligjor në çështjet e emigracionit, kostot e emigracionit ilegal kanë ndikuar edhe në diskursin publik dhe qëndrimet politike të partive kryesore në Britani. “Votuesit janë shprehur të shqetësuar për barrën ekonomike që qendrat e azilantëve kanë për buxhetin shtetëror,” tha ai. “Disa përllogaritje nga Thesari i Shtetit dhe Ministria e Financave tregojnë se kostoja për mbajtjen e qendrave pritëse të emigrantëve shkon deri në 2 miliardë paund në vit, të cilat paguhen nga taksapaguesit britanikë,” theksoi Hoxhaj.
Një nga tiparet e valës së re të migrimit me të cilën po përballet Shqipëria është largimi i personave me arsim të lartë. Ky grup emigrantësh ndahet zakonisht në dy nënkategori: ata që, pas përfundimit të studimeve, nuk kanë pasur mundësi të nisin një përvojë pune profesionale në Shqipëri për shkak të nepotizmit dhe ata që kanë nisur një përvojë pune, por e kanë ndërprerë për t’i lënë vendin emigracionit. Zhgënjimi është emëruesi i përbashkët, i përforcuar nga mungesa e meritokracisë në procesin e rekrutimit të nëpunësve në administratën shtetërore dhe kushtet e punës.
Flamur C., me diplomë bachelor në Histori dhe master shkencor në Marrëdhënie Diplomatike, rrëfen se e kishte hasur drejtpërdrejt mungesën e meritokracisë në procesin e rekrutimit në administratë, kur kishte shkuar për një provim në Departamentin e Administratës Publike dhe kishte gjetur një të afërm të tij, shumë më të moshuar, që po aplikonte në të njëjtën kohë. “Më vjen keq të them, por kot ke ardhur sot, pasi ky muhabet është mbyllur,” i kishte thënë ai ndërsa prisnin në holl për t’u futur në provim.
“Pas shpalljes së rezultateve, ai doli fitues,” kujtoi Flamuri. “Ka qenë dhe kjo një arsye e fortë që unë kam emigruar – nepotizmi dhe mungesa e meritokracisë,” theksoi ai.
Vilson Marku ka punuar si mësues në shkollën 9-vjeçare të fshatit Arrën, në bashkinë Kukës. Sipas tij, sistemit arsimor në Shqipëri i mungon infrastruktura dhe punësimet bëhen mbi baza partiake. “Punësimi i një mësuesi mbi baza partiake është poshtërimi më i madh që mund t’i bësh arsimit,” tha ai. “Më është dashur shpeshherë të punoj me kolegë jo profesionistë,” shtoi Vilsoni.
I zhgënjyer nga mungesa e infrastrukturës dhe meritokracisë, ai vendosi ta braktiste profesionin e mësuesit në vitin 2019, duke lënë rreth 12 nxënës pas në shkollë dhe emigroi në Angli. “E lashë punën e mësuesit në Kukës për të filluar punën në ndërtim në Angli,” tha Vilsoni. “Largimi nga Shqipëria ishte edhe për shkak të nepotizmit,” shtoi ai.
Vilsoni tregon se fillimi në Angli ka qenë i vështirë, ashtu si për shumicën e emigrantëve. Megjithatë, ai ndien keqardhje që la pas karrierën si mësues, pavarësisht dëshirës për të edukuar brezin e ri. “E njihja gjuhën, dhe kjo ma lehtësonte pak, por pjesa më e vështirë për mua ka qenë lënia përgjysmë e dëshirës për të shërbyer në edukimin e fëmijëve të fshatit tim,” përfundon ai.