INSTAT: Çmimet e importeve, rënie vjetore prej 0,7%

Në tremujorin e dytë të vitit 2025, çmimet e importit kanë shënuar një ulje prej 0,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave, në krahasim me tremujorin e parë të 2025, çmimet e importit janë ulur me 0,1%.
Raporti tregon se çmimet e importit të energjisë elektrike, gazit, avullit dhe ajrit të kondicionuar janë ulur me 5,3%, duke ndikuar në mënyrë të dukshme në çmimet e përgjithshme të importeve.
Ndërsa çmimet në import të seksionit të furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbeturinave ka shënuar ulje prej 2,2%.
Industria përpunuese ka pësuar një ulje të vogël prej 0,4%. Brenda industrisë përpunuese, çmimet më të ulëta janë regjistruar në “prodhimin e drurit dhe produkteve prej druri” me 1,2%, dhe në prodhimin e produkteve ushqimore dhe letre, secili me 0,9%.
Ndërkohë, sektori i industrisë nxjerrëse ka shënuar një rritje të lehtë prej 0,1% krahasuar me vitin e kaluar.
Krahasuar me tremujorin e parë, çmimet e importit të energjisë elektrike dhe gazit kanë pësuar ulje të vogël prej 0,5%, ndërsa sektori i furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbeturinave ka rënë me 0,6%.
Po ashtu, brenda industrisë përpunuese, çmimet e produkteve të letrës dhe produkteve prej letre janë ulur me 0,5%. Megjithatë, sektori i industrisë nxjerrëse ka shënuar një rritje të lehtë prej 0,1%.

