“Infermierë për Shqipërinë", Manastirliu: 816 të punësuar gjatë këtij viti

Gjatë këtij viti 816 infermierë dhe profesionistë të Shkencave Mjekësore Teknike janë punësuar me meritë në qendra shëndetësore dhe spitale, nga veriu në jug, për të shërbyer sa më pranë komunitetit.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një postim në rrjetet sociale, ndërsa publikoi foto nga infermierët e punësuar në të gjithë vendin.
“Në thirrjen e radhës në portalin “Infermierë për Shqipërinë”, kanë aplikuar mbi 2500 profesionistë të shkencave mjekësore teknike”, tha Manastirliu.
Platforma “Infermierë për Shqipërinë” e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar më tej në këtë fushë për të kontribuar në shëndetin e komunitetit.
Kjo platformë garanton një proces rekrutimi të udhëhequr nga parimet e transparencës, meritës, profesionalizmit dhe barazisë në funksion të ofrimit të një shërbimi cilësor infermieror në të tre nivelet e kujdesit shëndetësor.



