Kadastra, Rama nxjerr pamjet: Sistemi i ri, armiqësor me korrupsionin dhe miqësor me qytetarin

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Kadastra tashmë funksionon si një sistem armiqësor me korrupsionin dhe miqësor me qytetarin, ndërsa vijon puna për përmirësimin dhe rritjen e efiçencës së tij.
Rama ndau në rrjetet sociale një pamje reale të aplikimeve që kryhen në sistemin online, ndërsa theksoi se gjithçka kryhet pa sportel fizik dhe pa kontakte me punonjësit.
“Dhe thonë e thonë s’funksionon sistemi i ri i Kadastrës. Kjo është vetëm një fotografi e fluksit të punës së sistemit digjital, ku mund të shihen qartë datat hyrëse e dalëse të aplikimeve, pa sportel, pa kontakt fizik me punonjësit, pa mundësi ndërhyrjeje nga lart, poshtë, anash për të marrë e dhënë favore, pa shans për ryshfet sepse sistemi nuk ha mik dhe pa të gjitha sekëllditë e tmerret e të kaluarës në marrjen e shërbimit”, deklaroi Rama.
Ndërkohë, kryeministri theksoi se është e vërtetë që nuk funksionon më sistemi i vjetër.
“Zhbëhet përditë rrjeti i sekserëve, influencave të llojllojshme, buburrecave e minjve brenda kadastrës, të cilët vazhdojnë të dorëhiqen prej tharjes së burimeve të pista, vazhdon papushim puna për përmirësimin dhe rritjen e efiçencës së sistemit të ri, i cili ka ende problemet e veta, por edhe kështu siç është ka dhënë dy prova të mëdha, si një sistem armiqësor me korrupsionin dhe miqësor me qytetarin”, theksoi Rama.



