Incineratori i Tiranës fitoi 6.2 milionë euro në 2021
Kompania e “Integrated Energy BV SPV” e kontraktuar nga qeveria shqiptare për të ndërtuar incineratorin e Tiranës ka deklaruar në bilancin zyrtar dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit një normë fitimi që i ka kaluar 30 për qind, në një kohë që norma mesatare e fitimit në vend, sipas INSTAT, luhatet midis 7-10 për qind.
Sipas të dhënave zyrtare nga bilanci, dhe të publikuara nga revista Monitor, kompania Integrated Energy BV SPV ka raportuar të ardhura në vlerën e 2.6 miliardë lekëve në vitin financiar 2021 (22 milionë euro), ndërsa fitimi para taksave ishte 793 milionë lekë (rreth 6.2 milionë euro).
Norma e fitimit ishte sa 30.5% e të ardhurave të realizuara.
Një normë të ngjashme fitimi është raportuar edhe në vitin 2020, ku të ardhurat e kompanisë ishin 2.3 miliardë lekë dhe fitimi zyrtar i raportuar ishte 723 milionë lekë.
Bilanci nuk është audituar akoma, por në dokumentet e dorëzuara thuhet se është në proces. Në realitet, thotë Monitor, norma reale e fitimit mund të jetë shumë më e lartë, teksa një proces hetimor nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbuluar skema të frikshme pastrimi parash në kompanitë simotra në inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.
Procesi i hetimeve ka çuar në sekuestro të dy incenartorëve të Elbasan dhe Fierit, ndërsa edhe për inceratorin e Tiranës janë të njëjtët aksionerë.