Ibrahimaj: Politika dhe masa drejt një ekonomie të gjelbër
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pjesë e panelit përshëndetës të konferencës së nivelit të lartë për Financimin e Gjelbër në Evropën Juglindore, tha se, “ndryshimet e klimës do të shoqërohen me kosto të lartë mjedisore, ekonomike dhe sociale, ndaj si politikëbërës jemi të angazhuar të marrim masa paraprakisht, për të përballuar këto zhvillime”.
“Shqipëria, edhe pse një vend i vogël me një kontribut të ulët emetimi të gazrave, është e vendosur që të jetë pjesë dhe të marrë përsipër rolin dhe përgjegjësinë e saj në këtë proces. Në fakt kemi ndërmarrë disa veprime në këtë drejtim. Transformimi drejt një ekonomie të gjelbër kërkon angazhim individual të vendeve qoftë në nivel të marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat ne jemi angazhuar dhe kemi nënshkruar tashmë, qoftë në nivel strategjish kombëtare”, tha Ibrahimaj.

Ajo tha se, në mbështetje të gjithë këtij kuadri, në vitin 2020 u firmosën në samitin e Sofjes dy marrëveshje shumë të rëndësishme.
“Kemi vendosur të bëhemi pjesë si vende të Ballkanit Perëndimor në Axhendën e Gjelbër, ashtu sikurse kemi vendosur për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili synon ta bëjë ekonominë tonë më të qëndrueshme dhe neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050, nëpërmjet një sërë iniciativash dhe reformash gjithëpërfshirëse politike dhe financiare. Ne jemi të bindur që Tranzicioni i Gjelbër, përveç kostove që unë përmenda, do të ketë dhe efekte pozitive në ekonominë tonë e pikërisht në kontekstin ekonomik, ne jemi duke zbatuar Planin Kombëtar të Energjisë dhe të Klimës, i cili do të ndikojë ndjeshëm në rritjen ekonomike të sektorëve të ndryshëm që lidhen me energjinë dhe me klimën”, u shpreh ministrja.
“Në këtë kontekst, një nga iniciativat e MFE në drejtim të sigurimit dhe ndërgjegjësimit më të lartë të ndikimit mjedisor dhe social është rishikimi i procedurave të menaxhimit të investimeve publike. Pra tashmë çdo projekt potencial investimi që synohet të financohet nëpërmjet fondeve të buxhetit të shtetit do të vlerësohet duke marrë parasysh ndikimin mjedisor dhe klimatik gjithashtu, i cili do të jetë një element i rëndësishëm për përfshirjen e projekteve në planet afatmesme të buxhetit”, deklaroi ministrja.
Sipas saj, kalimi në një ekonomi të gjelbër kërkon gjithashtu investime të reja kapitale. “Qeveria dhe të gjithë aktorët e zhvillimit janë të angazhuar për të siguruar zbatimin e duhur të programeve të ekonomisë së gjelbër, duke bërë të mundur që institucionet publike të forcohen për të hequr barrierat dhe për të mbrojtur mjedisin dhe për t’i harmonizuar këto me politikat sociale dhe ekonomike”, tha Ibrahimaj.




