FORUMI EKONOMIK SHQIPËRI–JAPONI/ Avni Ponari rrëfen vizitën zyrtare në Tokio: Japonia, partner strategjik për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë
Në vigjilje të Forumit Ekonomik Shqipëri–Japoni, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Japoni është rikthyer nga një vizitë zyrtare pesëditore në Tokio, gjatë së cilës u zhvilluan takime të nivelit të lartë me përfaqësues të institucioneve dhe biznesit japonez, duke hapur rrugën për një bashkëpunim ekonomik gjithnjë e më të gjerë mes dy vendeve.
Në vigjilje të Forumit Ekonomik Shqipëri–Japoni, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Japoni, e kryesuar nga Avni Ponari, është rikthyer nga një vizitë zyrtare pesëditore në Japoni (10–14 nëntor). Gjatë kësaj vizite, delegacioni zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të institucioneve dhe botës së biznesit japonez.
Z. Ponari u shpreh optimist për një prezencë gjithnjë e më të madhe të Japonisë në ekonominë shqiptare dhe nuk përjashtoi mundësitë që edhe biznese shqiptare të investojnë në tregun japonez.
Agjenda e vizitës përfshiu takime me: z. Ken Kobajashi, Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Japoneze; përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Japonisë; drejtorin e Federatës së Biznesit Japonez – Keidanren, z. Ishiro Hara; ministrin e Sigurisë Ekonomike, z. Kiuçi; drejtues të XHETRO-s dhe të Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar.
Z. Ponari theksoi se forcimi i klimës së biznesit në vend dhe nxitja e iniciativave të reja ekonomike janë kyçe për ndërtimin e një ure të qëndrueshme bashkëpunimi me tregun japonez.
Ai vlerësoi, gjithashtu, organizimin e Forumit të Parë Ekonomik Shqipëri–Japoni nga AIDA dhe XHETRO, si një hap me rëndësi të veçantë për intensifikimin e partneritetit dypalësh.


