Firmoset strategjia 5-vjeçare me Bankën Botërore, miliona dollarë investime në ura, bujqësi dhe zhvillim ekonomik
Bordi i Drejtorëve Ekzekutive të Bankës Botërore ka aprovuar sot strategjine 5-vjeçare të partneritetit me Shqipërinë (2023-2027).
Kjo strategji synon të ndihmojë vendin të rimëkëmbet shpejt dhe të transformohet në një ekonomi më të fuqishme, më gjithëpërfshirëse, me aftësi ripërtëritëse dhe më të gjelbër.
Strategjia do të përqendrohet në tri sfida kyçe: më shumë dhe vende më të mira pune, përdorim më i mirë i kapitalit njerëzor, dhe rritje e aftësise përballuese dhe ripërtëritëse ndaj fatkeqësive natyrore dhe goditjeve të llojeve të tjera.
Këto drejtime kryesore do të ndërthuren edhe me iniciativa për zgjerimin e digjitalizimit dhe përfshirjes.
Strategjia e Partneritetit është në përputhje me përparësitë strategjike të Qeverisë dhe mbështetet nga një portofol financiar prej 900 milionë dollarësh.
Bordi gjithashtu ka aprovuar 4 projekte të reja për Shqipërinë:
Projekti i rindërtimit të urave rezistente (100 milionë $) që synon rehabilitimin e urave në rrezik dhe përmirësimin e sistemeve të tyre të mirëmbajtjes;
Projekti i Bujqësisë konkurruese dhe të qëndrueshme ndaj klimës (70 milionë $) që do të përqendrohet në nxitjen e inovacionit në bujqësi, në zgjerimin e ujitjes inteligjente dhe rritjen e aksesit të produketeve bujqësore në tregjet vendase dhe ato të BE-së;
Projekti i Qasjes Universale në Shërbime Publike me Standard të Lartë (GovTech) (65 milionë $) që do të ndihmojë digjitalizimin e shërbimeve publike dhe zgjerimin e aftësive digjitale për fëmijët në shkolla;
dhe Projekti i Financimit të Politikave të Zhvillimit (120 milionë $) që do të ndihmojë në forcimin e aftësisë ripërtëritëse të ekonomisë dhe qëndrueshmërinë mjedisore të modelit të rritjes së Shqipërisë.
Strategjia e Re e Partneritetit të Bankës Botërore Mbështet Rritje më të Gjelbër, me Aftësi më të Mëdha Ripërtëritëse dhe Gjithëpërfshirëse në Shqipëri
UASHINGTON, 16 mars 2023 - Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë i Grupit të Bankës Botërore miratoi sot një Kuadër pesë vjeçar Partneriteti për Shqipërinë për periudhën 2023-2027 si dhe katër projekte të reja.
Kjo strategji synon të ndihmojë vendin të rimëkëmbet shpejt dhe të transformohet në një ekonomi më të fuqishme, më gjithpërfshirëse, me aftësi ripërtëritëse dhe më të gjelbër, si dhe të krijojë jetesë më të shëndetshme dhe produktive për popullin shqiptar. Strategjia e re do të përqendrohet në tre sfida kyçe: më shumë dhe vende më të mira pune, përdorim më i mirë i kapitalit njerëzor, dhe aftësi e shtuar ripërtëritëse ndaj fatkeqësive natyrore dhe goditjeve të tjera, të gjitha të ndërthurura me përpjekjet për zgjerimin e digjitalizimit dhe përfshirjes.
Kuadri i ri i Partneritetit për Shqipërinë bazohet në arritjet e vendit dhe është në përputhje të plotë me përparësitë strategjike të Qeverisë. Kuadri ka një portofol financiar prej 900 milionë dollarësh.
“Kjo është ditë e shënuar për partneritetin më se 30 vjeçar me Shqipërinë”, tha Emanuel Salinas,Menaxher i Zyrës sëBankës Botërore në Shqipëri. “Ne do të vijojmë të punojmë së bashku për institucione më të fuqishme, qeverisje të përmirësuar dhe forcimin e kapitalit njerëzor, si elementë kyçë për përballimin e sfidave të zhvillimit dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe të barabartë”.
Agjenda ambicioze e zhvillimit në Shqipëri kërkon mbështetje të efektshme përmes Qasjes së një Banke Botërore. Përpjekjet e përbashkëta me Koorporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC-në) do të përmirësojnë mjedisin e biznesit, do të zhvillojnë tregjet e kapitalit, do të përforcojnë legjislacionin dhe praktikat për partneritetet publike private, do të forcojnë konkurrueshmërinë, si dhe do të sigurojnë financim për zhvillimin afatgjatë. Agjencia Shumëpalëshe e Garantimit të Investimeve (MIGA) do të vijojë të mbështesë investimet e huaja përmes produkteve të sigurimit të riskut dhe do të lehtësojë investimet e huaja.
“Tërheqja e investimeve të reja private do të jetë element kyç për rritjen e qëndrueshme dhe me aftësi ripërtëritëse në të ardhmen”, tha Ary Naïm, Menaxher Rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore.
“Veprimtaritë e investimit dhe këshillimit të IFC-së do të përqendrohen në përmirësimin e infrastrukturës së biznesit për konkurrueshmëri, rritjen e shtimit të vlerës vendase në sektorët e orientuar nga eksporti, dhe ofrimin e alternativave të financimit për tranzicionin e gjelbër të vendit”.
Strategjia e Partneritetit me Shqipërinëështë përgatitur mbi bazën e analizave gjithëpërfshirëse të sfidave zhvillimore të vendit, si dhe bazuar në konsultime me qeverinë, sektorin privat, shoqërinë civile dhe partnerët për zhvillim.
Katër projektet e reja të miratuara së bashku me Strategjinë arrijnë një vlerë prej 355 milion USD dhe tregojnë mbështetjen e Grupit të Bankës Botërore me qëllim që Shqipëria të arrijë rritje më të gjelbër, me më shumë aftësi ripërtëritësedhe gjithëpërfshirje më të madhe. Projekti i Ndërtimit të Urave të Forta (100 milionë$) synon rehabilitimin e urave në rrezik dhe përmirësimin e sistemeve të tyre të mirëmbajtjes. Projekti i Bujqësisë Konkurruese dhe me Aftësi Përballuese ndaj Klimës (70 milionë $) do të përqendrohet në nxitjen e inovacionit në bujqësi, në zgjerimin e ujitjes inteligjente dhe rritjen e aksesit të produketeve bujqësore në tregjet vendase dhe ato të BE-së. Projekti i Qasjes Universale në Shërbime Publike me Standard të Lartë (GovTech) (65 milionë$) do të ndihmojë digjitalizimin e shërbimeve publike dhe zgjerimin e aftësive digjitale për fëmijët në shkolla. Financimi i Politikave të Zhvillimit (120 milionë$) do të ndihmojë në forcimin e aftësisë ripërtëritëse të ekonomisë dhe qëndrueshmërinë mjedisore të modelit të rritjes së Shqipërisë.
Këto projekte të reja do të plotësojnë portofolin aktual të Bankës Botërore prej 5 projektesh në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm, infrastrukturës, dhe zhvillimit njerëzor.