DPT: Mbi 7400 tatimpagues të rinj të regjistruar në gusht për Tatimin në Burim

Administrata Tatimore po vijon përpjekjet për të zgjeruar bazën tatimore dhe për të forcuar kulturën e deklarimit korrekt mes tatimpaguesve.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, numri i tatimpaguesve të regjistruar për Tatimin në Burim është rritur me 7491 në gusht 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.
Kjo rritje reflekton jo vetëm ndërgjegjësimin e bizneseve, por edhe bashkëpunimin e tyre me strukturat tatimore në zbatimin e legjislacionit fiskal.
DPT ka prezantuar në fillim të këtij viti një format të ri të deklaratës për Tatimin në Burim.
Deklarata e re është ndërtuar në një formë më analitike, duke përfshirë të dhëna më të detajuara për çdo pagesë të kryer dhe për tatimin e mbajtur përkatës.
Ndryshimi kryesor që sjell ky format është se për çdo transaksion do të kërkohet specifikimi i llojit të të ardhurës, shuma bruto, tatimi i mbajtur dhe të dhënat e përfituesit të pagesës.
Në rastet kur pagesa i bëhet një jorezidenti, do të jetë e detyrueshme të shënohet edhe shteti i rezidencës dhe, nëse kërkohet, të bashkëngjitet certifikata përkatëse e rezidencës.
Tatimi në Burim aplikohet për disa kategori të ardhurash, siç janë dividendët, interesat, honoraret, qiratë dhe të ardhurat nga lojërat e fatit.
Subjektet që realizojnë pagesa të tilla kanë detyrimin ligjor të mbajnë tatimin në momentin e kryerjes së pagesës dhe ta transferojnë atë brenda afatit të përcaktuar.
Tatimi në burim për qiratë, të ardhurat nga lojërat e fatit, honoraret dhe interesat është 15%, ndërsa për dividendët është 8%.
Deklarimi dhe pagesa e këtij tatimi duhet të kryhen brenda datës 20 të muajit pasardhës të periudhës tatimore, përmes sistemit elektronik e-Filing.
Mospërmbushja e detyrimeve brenda afateve sjell pasoja ligjore, përfshirë gjoba dhe interesa për pagesa të vonuara, të cilat janë të përcaktuara në mënyrë të qartë në legjislacionin në fuqi.
Për mosdorëzim në kohë të deklaratës së tatimit në burim, sanksionet janë të ndara sipas dy niveleve: 5000 lekë për tatimpaguesit që nuk janë subjekte të tatimit mbi të ardhurat e korporatave. Kjo përfshin të vetëpunësuarit, entet jofitimprurëse dhe individët që veprojnë si qiramarrës apo pagues të honorareve. Dhe 10 000 lekë për tatimpaguesit që janë subjekte të regjistruara për tatimin mbi të ardhurat e korporatave.


