Bono privatizimi deri në 2023, Qeveria shtyn afatin, përdoren për legalizimet dhe pronat
Bonot e privatizimit mund të përdoren për legalizimin e ndërtimeve dhe blerjen e objekteve shtetërore deri në vitin 2023. Qeveria ka dorëzuar në Kuvend projektligjin, duke argumentuar se është nismë e Avokatit të Shtetit.
Shtyhet afati i përdorimit të bonove të privatizimit, të cilat janë shpërndarë prej vitit 1995.
Tashmë çdo posedues i tyre ka të drejtë ti përdorë deri në vitin 2023, qoftë në ankandet për objektet shtetërore, por edhe në pagesën e faturës për legalizimin e banesave.
Një tjetër formë që mund të paguhet detyrimi përmes bonove është dhe prej ish-pronarëve.
Këta të fundit kanë të drejtë të parablejnë një objekt të ndërtuar mbi tokën e tyre, përpara se qeveria ti hedhë në ankand.
Në relacionin që shoqëron draftin e dorëzuar në Kuvend në datën 30 dhjetor theksohet se nisma ka ardhur nga Avokatura e Shtetit ku së pari renditet zgjidhja e rasteve kur shteti shqiptar ka detyrim kthimin e bonove të privatizimit në zbatimin të vendimeve të gjykatave.
Aktualisht në tregun e lirë bonot e privatizimit tregtohen me 6 deri në 10 për qind të vlerës së tyre, kjo në varësi të kërkesa për legalizimin e ndërtimeve informale apo ankandeve të publikuara rej qeverisë.
Institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji janë përcaktuar Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.




