BE kundër amnistisë fiskale: Dobëson kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, shqetësim serioz për shtetet anëtare

Bashkimi Evropian kundërshton nismën e qeverisë Rama për amnistinë fiskale në Shqipëri. Në një deklaratë për shtyp pas takimit të 13-të të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, thuhet se  Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, e për më tepër, për shkak se rezidentëbe jotatimorë u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin.

Bashkimi Evropian është shprehur kundër draftit aktual të ligjit për amnistinë fiskale në Shqipëri.

Përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare, BE-ja nënvizon se ky draft paraqet shqetësime serioze dhe do të dobësojë kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave.

Ndër të tjera, theksohet se kjo do të ndihmonte shumë pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore.

"Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore. Për më tepër, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për Shtetet Anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin".

Për sa i përket tatimeve, Komisioni mirëpriti faktin që Shqipëria është juridiksioni i parë në Ballkanin Perëndimor që zbaton Standardin e Përbashkët të Raportimit të OECD-së dhe ka përmirësuar shpejtësinë e rimbursimit të TVSH-së, por shprehu keqardhje që miratimi i Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave është vonuar.

Deklaratat e Bashkimit Evropian u bënë në takimin e 13-të të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë që u zhvillua më 29 qershor në Bruksel.

EMISIONET