Alarmi i Ekspertit, Musta: Paratë e pista në ndërtim po pamundësojnë blerjen e banesave nga familjet mesatare
Eksperti i ekonomisë Eugent Musta, në një intervistë në studion e lajme në "Ora News" analizoi situatën e krijuar dhe atë çfarë ndodh nga fluksi i futjes së parave të pista apo me burime të paqarta në sektorë të veçantë të ekonomisë së vendit.
“Përdorimi i çmimeve të referncës nga shteti është një strategji indirekte për të ndaluar evazionin, pra për të mbledhur më shumë taksa.
Por shteti mund të ishte më aktiv në kontrollin e transaksioneve, pra çmimet reale me të cilat po shiten banesat dhe ta mblidhte taksën aty. Por duke përdorur çmimin e referencës nganjëherë e penalizon tregun.
Efekti kryesor që vjen nga pastrimi i parave në industri të ndryshme, këtë rast në ndërtim, efekti kryesor është që prish balancën ekonomike. Pra, rrit çmimet në mënyrë fiktive dhe e përkeqëson gjendjen ekonomike të pjesës më të madhe të popullsisë e cila përballet me rritjen reale të çmimeve ndaj një kërkese fiktive.
Një familje e thjeshtë sot e ka edhe më të vështirë të financojë apo të investojë për një banesë. Dhe kjo për arsyen e dy faktorëve: Rritja e çmimeve në mënyrë të ndjeshme, por edhe nga rritja e normës së kreditimit.
Pra, normat e interesit janë goxha të larta për momentin. Dhe kjo automatikisht shkakton rënien e kërkesave për banesa”, u shpreh ndër të tjera, eksperti i Ekonomisë, Eugent Musta.