2.77 miliardë lekë për SHISH-in, Hyseni: Na nevojiten fonde shtesë
Drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) në Komisionin e Sigurisë ka paraqitur kërkesat buxhetore për vitin e ardhshëm, gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2025”.
Hyseni bëri të ditur se projektbuxheti për vitin 2025 për institucionin që ajo drejton është 2.77 miliardë lekë, ose 33% më i lartë se viti i kaluar.
Por sipas Hysenit, për të përmbushur objektivat, SHISH kërkon 715.9 milionë lekë më shumë sesa buxheti i miratuar.
“Ky fond edhe pse është më i lartë se viti i kaluar, është 21% më pak krahasuar me kërkesat buxhetore parashtruar nga institucioni ynë për të financuar politikat ekzistuese dhe ato të reja.
SHISH në funksion të mbajtjes së angazhimeve dhe plotësimit me sukses të objektivave për 2025, kur mjedisi i sigurisë është në ndryshim të vazhdueshëm, paraqitet me një plan të shpenzimeve për politikat ekzistuese dhe të reja, me vlerë 3.48 mld lekë, 715.9 milionë lekë më shumë sesa tavani i miratuar”- tha Hyseni.