Policia ka shoqëruar në polici një 50 vjeçar i cili është drejtuesi I makinës që u fotografua duke tërhequr zvarrë qenin që e kishte lidhur pas makinës.

Marrë shkas nga fotoja virale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës menjëherë identifikuan dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, bashkë me mjetin e tij tip “Renault”, shtetasin F. P., 50 vjeç, banues në Sukth, Durrës.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht shtetasi F. P., për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”  parashikuar nga neni 207/c paragrafi 2 si dhe nga shërbimet e Policisë të Qarkullimit Rrugor është vendosur masë administrative në bazë të dispozitave të Kodit Rrugor, sipas neneve 158, 182 dhe 139/14/5/8.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.