Nga ndarja e detit te vaksina kundër Covid-19. Sipas televizionit publik grek ERT këto janë çështjet kryesore në axhendën e kryeministrit Edi Rama që ndodhet për vizitë jozyrtare në Athinë. Për detin nënvizohet se nuk është në interesin e palëve që çështja të trajtohet para zgjedhjeve të prillit, ndërsa për vaksinën sillet në vëmendje gatishmëria e Greqisë për të ndihmuar fqinjët.

Kryeministri shqiptar Edi Rama zbriti në Athinë për një vizitë jozyrtare gjatë të cilës takon homologun helen Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e Jashtëm Nikos Dendias.

Televizioni publik grek ERT thekson se vizita e Ramës në Athinë vjen pas një qëndrimi dyditor në Ankara dhe në kohën kur Shqipëria dhe Greqia kanë shprehur gatishmërinë për t’i zgjedhur mosmarrëveshjet për ndarjen e kufirit detar në Gjykatën e Hagës. Një tjetër çështje tek e cila duhet mbajtur vëmendja është edhe gjendja e pandemisë në Shqipëri dhe në rajon.

Dreka e punës me kryeministrin Mitsotakis pason takimin me ministrin e Jashtëm Nikos Dendias. Temë e takimit është marrëdhënia dypalëshe dhe gjendja rajonale si dhe emergjenca shëndetësore e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, thotë ERT, duke kujtuar se Greqia ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë dhe fqinjët e tjerë të marrin një sasi fillestare vaksinash.

Çështja e demarkacionit të zonave detare nëpërmjet Gjykatës së Hagës është në axhendë, por ERT, duke citur burime diplomatike thotë se nuk do të ketë asnjë zhvillim për këtë çështje para zgjedhjeve të prillit në Shqipëri. “Përfshirja e kësaj çështjeje në axhendën e afërt të të dy palëve ishte nuk është në interesin e asnjë pale,” nënvizon transmetuesi publik.

Që prej fillimit të vizitës së kryeministri Rama në Ankara, mediat greke kanë sjellë në kujtesë deklaratat publike të kryeministrit shqiptar në lidhje me drejtimin e palëve në Gjykatën e Hagës dhe të drejtën e Greqisë për t’u zgjeruar me 12 milje.

Këtu mediat greke përmendin edhe arritjen e marrëveshjeve dypalëshe me Italinë dhe Egjiptin, që sipas tyre janë të bazuara mbi Konventën për Ligjin e Detit.

Postimi në Twitter

Lexo edhe:

Në Athinë me çështjen e detit në axhendë, media greke “presion” Ramës: Lidhet edhe me aspiratat evropiane të Shqipërisë