Investitorët amerikanë konsiderojnë korrupsionin e përhapur, garën e padrejtë dhe gjyqësorin jofunksional si pikat më të dobëta që po pengojnë investimet drejt Shqipërisë. Në raportin e fundit për Klimën e Investimeve, DASH-i thekson nevojën e reformimit të drejtësisë.

Shqipëria mbetet një vend i padëshirueshëm për investitorët e huaj për të shtatin vit me radhë.

Raporti i fundit i Departamentit amerikan të Shtetit për klimën e biznesit evidenton korrupsionin, mungesën e transparencës, garën e padrejtë dhe monopolet, dhe gjyqësorin jofunksional, si probleme të vazhdueshme në Shqipëri.

“Pavarësisht nga korniza e shëndoshë ligjore dhe përparimet me reformën elektronike, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për biznes. Perceptohet ndër më të korruptuarit e Ballkanit Perëndimor. Raportet për këtë në prokurimet qeveritare janë të zakonshme, ndërsa përdorimi në rritje i kontratave PPP të partneritetit publik-privat, pa analiza të sakta të kosto-përfitimeve, ka ulur mundësitë për konkurrencë.”

Raporti i DASH-it thekson se të drejtat e pronës vazhdojnë të jenë po ashtu një sfidë, sidomos fitimi i pronësisë, lejet e ndërtimit dhe mbrojtja e investitorëve.

Korrupsioni endemik edhe në këtë fushë vazhdon të minojë sundimin e ligjit dhe të manipulojë apo frenojë zhvillimin ekonomik.

“Ka pasur raste që dyshohet se individët e manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë joligjërisht titujt e tokës. Mbivendosja është një çështje serioze dhe e zakonshme. Kompensimi i tokës së konfiskuar nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë i komplikuar, joefikas dhe i papërshtatshëm.”

Amerika e konsideron Shqipërinë një vend me të ardhura të mesme, me një produkt të brendshëm bruto rreth 5,300 dollarë për frymë dhe ku rreth 45 për qind e popullsisë jeton në zonat rurale.

DASH vëren se për të adresuar korrupsionin, vendi ka ndërmarra reformën e thellë të drejtësisë, ku përfshihet edhe vetingu i pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Më shumë se gjysma e tyre që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit raportohet se janë shkarkuar për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje me krimin të organizuar.

Klima e investimeve në vend pritet të përmirësohet me zbatimin konkret të reformës gjyqësore, që së bashku me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, të drejtat e minoriteteve dhe uljen e kërkesave për azil drejt BE-së, janë kushte që duhen përmbushur përpara mbajtjes së konferencës ndërqeveritare për çeljen e negociatave në Bashkimin Europian.

Lexo edhe: Raporti i DASH, Meta: Procesi ligjbërës dhe interesat klienteliste, s’mund të fusin në qorrsokak integrimin

PD: DASH vërteton se korrupsioni i qeverisë largon investitorët