Zjarri pranë Madridit del jashtë kontrollit, digjen mbi 260 mijë hektarë dhe evakuohen 28 vendbanime

Një zjarr masiv që shpërtheu disa ditë më parë rreth 100 kilometra në veri të Madridit vijon të jetë jashtë kontrollit, duke shkatërruar mbi 260 mijë hektarë sipërfaqe pyjore dhe bujqësore.
Sipas autoriteteve spanjolle, flakët kanë përfshirë një pjesë të madhe të Parkut Kombëtar Sierra Norte, në rajonin e Guadalajara-s, ndërsa mbi 1.200 banorë janë detyruar të evakuojnë banesat e tyre. Deri tani janë evakuuar 28 vendbanime, ndërsa nuk raportohet për viktima.
Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon pa ndërprerje, ndërsa autoritetet e kanë cilësuar situatën tepër serioze për shkak të përmasave të flakëve.
“Përparësia jonë është mbrojtja e jetës së njerëzve”, deklaroi presidenti i rajonit Castilla-La Mancha, Emiliano García-Page.
Situata pritet të vështirësohet edhe më tej, pasi nga e marta Spanja do të përfshihet nga vala e tretë e të nxehtit këtë verë, me temperatura që në shumë zona do të kalojnë 40 gradë Celsius, duke rritur rrezikun për përhapjen e zjarreve.
Ndërkohë, një tjetër zjarr pranë Zaragozës është vënë nën kontroll, pasi dogji rreth 150 mijë hektarë tokë.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po shtojnë intensitetin dhe shpeshtësinë e valëve të të nxehtit, duke krijuar kushte gjithnjë e më të favorshme për zjarret shkatërruese.

