Zbulohen të dhënat e miliona klientëve të ”Qantas”, pas një sulmi kibernetik në Australi

Të dhënat personale të 5,7 milionë klientëve të ”Qantas”, të vjedhura në një sulm kibernetik në korrik, janë zbuluar në internet, pranoi të dielën linja ajrore kryesore australiane.
”Qantas” njoftoi në korrik se hakerat kishin synuar një sistem të përdorur nga një palë e tretë, duke ruajtur të dhënat e ndjeshme të miliona klientëve të saj, dhe kishin fituar akses në emrat, adresat e email-it, numrat e telefonit dhe ditëlindjet e tyre.
”Numrat e pasaportave dhe kartave të tyre bankare nuk ishin të pranishme në sistem”, sipas kompanisë.
Pala e tretë e synuar nga sulmi kibernetik është kompania e softuerëve ”Salesforce”, sipas një burimi të njohur me çështjen.
Ajo tha javën e kaluar se ishte “në dijeni të përpjekjeve të fundit për zhvatje”.
Përveç ”Qantas”, hakerët morën të dhëna edhe nga dhjetëra kompani, përfshirë ”Air France”, KLM, ”Disney”, Google, ”Ikea”, ”Toyota” dhe ”McDonald’s”.
“Qantas’ është një nga kompanitë më të njohura në mbarë botën, të dhënat e së cilës janë publikuar nga kriminelët kibernetikë, pas sulmit kibernetik të korrikut në të cilin të dhënat e klientëve u vodhën nëpërmjet një platforme të palës së tretë”, tha sot linja ajrore në një deklaratë.
“Me ndihmën e ekspertëve të sigurisë kibernetike, ne po hetojmë se cilat të dhëna specifike rrodhën”, shtoi grupi.
Analistët e sigurisë kibernetike thonë se kjo rrjedhje të dhënash është e lidhur me një organizatë kriminale të quajtur ”Scattered Lapsus$ Hunters”, e cila kishte dhënë një afat për pagesën e shpërblimit deri të premten.
Faqja e specializuar e internetit ”FalconFeeds” raportoi në X se të dhënat personale të klientëve të ”Qantas” u publikuan në darkweb këtë fundjavë, së bashku me të dhëna të tjera nga ”Vietnam Airlines” dhe shumëkombëshja japoneze ”Fujifilm”.


