Kosova zgjedh krerët e komunave, qytetarët së bashku me zyrtarë të Listës Serbe në Mitrovicën e Veriut votojnë në grup

Kosova zgjedh krerët e komunave, qytetarët së bashku me

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se procesi i votimit për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale, ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se mund të ketë pasur vetëm ndonjë vonesë në disa vendvotime të caktuara.

“Materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit”, deklaroi ai, duke ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhje.

Ndërkohë nga qendra e Mitrovicës së Veriut, qytetarët - së bashku me zyrtarë të Listës Serbe - kanë shkuar kolektivisht për të votuar, informon REL.

Edhe më herët ka qenë praktikë që punonjësit në institucionet e Serbisë në Kosovë, të votojnë në mënyrë kolektive.

Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka udhëhequr Mitrovicën e Veriut dhe tri komunat e tjera me shumicë serbe në veri - Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - deri në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit e saj janë larguar nga institucionet e Kosovës.

Pas këtij vendimi, komuniteti serb ka bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit 2023 dhe votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në vitin 2024, në përputhje me thirrjet e Listës Serbe.

Largimi i përfaqësuesve serbë nga institucionet ka ndodhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të hequr nga qarkullimi targat serbe të automjeteve.

Sot të drejtë vote kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit. Institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme. 

Pak ditë më parë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë akuzuar Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejta në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

EMISIONET