UKRAINA BLEN “RAFALE” NGA FRANCA/ Zelensky firmos në Paris marrëveshjen për blerjen e 100 avionëve
Ukraina ka nënshkruar me Francën një marrëveshje historike ushtarake për blerjen e deri në 100 avionëve luftarakë “Rafale”, së bashku me sisteme mbrojtjeje ajrore dhe dronë. Lajmi u konfirmua nga Pallati Elysee gjatë vizitës së presidentit Volodymyr Zelensky në Paris.

Në bazën ajrore Villacoublay, Zelensky firmosi një letër qëllimi me presidentin francez Emmanuel Macron për blerjen e avionëve Rafale, një nga aeroplanët më të avancuar të flotës franceze.
Detajet e plota të marrëveshjes nuk janë bërë ende publike, por kontrata parashikon një paketë të gjerë mbështetjeje që përfshin armatime, dronë dhe sisteme të avancuara mbrojtjeje ajrore.
Kjo ishte vizita e nëntë e Zelensky-t në Paris që nga pushtimi rus i vitit 2022 — një tregues i rolit gjithnjë e më qendror të Francës në mbështetjen perëndimore për Ukrainën, sidomos në kushtet e pasigurisë së furnizimeve nga SHBA.
Të dy liderët nënshkruan marrëveshjen pranë një avioni Rafale të armatosur me bomba të drejtuara AASM dhe pranë një rakete lundrimi SCALP — armë që Franca i ka dërguar tashmë Ukrainës. Në ceremoninë zyrtare ishin ekspozuar edhe një sistem interceptimi SAMP/T dhe një radar GF300, pajisje të ofruara më parë Kievit.
Rafale është avion luftarak multifunksional i gjeneratës së katërt, i aftë të kryejë brenda të njëjtës mision bombardime në distancë të gjatë, sulme precize dhe përleshje ajrore. Ai krahasohet shpesh me F-16 amerikan për fleksibilitetin dhe rolin taktik.
Franca ka furnizuar më herët Ukrainën me avionë Mirage, të cilët përbëjnë aktualisht shtyllën kryesore të forcës bombarduese të Kievit. Me ardhjen e Rafalëve, Ukraina synon të modernizojë flotën e saj ajrore dhe të rrisë aftësitë e mbrojtjes së hapësirës ajrore.


