Trump-Xi dhe balanca e re globale/ Sotiri Gjoni: Kina po përfiton nga gabimet strategjike të Perëndimit

Në një intervistë për Ora News, është diskutuar marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës dhe sinjalet që po vijnë nga takimet dhe zhvillimet e fundit mes dy fuqive të mëdha.

E ftuar në studio ishte ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Juxhina Sotiri Gjoni, e cila analizoi dinamikën globale dhe rivalitetin në rritje mes Perëndimit dhe Kinës.

Ajo shpjegon se marrëdhëniet mes fuqive të mëdha nuk mund të shihen si afatshkurtra, por si një garë e gjatë për ndikim dhe burime.

“Kur kemi të bëjmë me burime të rralla dhe kontrollin e tyre, është herët të flitet për miqësi afatshkurtër. Në realitet bëhet fjalë për një rivalitet që do të zgjasë për dekada”, u shpreh ajo.

Në analizën e saj, ekspertja u ndal te koncepti i “durimit strategjik”, si një faktor që po ndikon në ekuilibrat globalë.

Sipas saj, Kina ka ditur të përfitojë nga gabimet dhe vonesat strategjike të Perëndimit në disa kriza ndërkombëtare.

“Kina ka treguar durim strategjik dhe ka përfituar nga gabimet që Perëndimi ka bërë si bllok, por edhe nga keqllogaritje të ndryshme në kriza si Ukraina apo Lindja e Mesme”, tha ajo.

Në fund të analizës, ekspertja vlerëson se ky kombinim faktorësh ka ndihmuar Kinën të forcojë pozitat e saj në skenën globale, në një kohë kur rivaliteti me SHBA po thellohet gjithnjë e më shumë.

 

EMISIONET