Miratohet me 114 vota pro rezoluta për BE/ Begaj: Akt i përgjegjshëm politik në funksion të reformave dhe integrimit

Presidenti Bajram Begaj ka përshëndetur miratimin e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, e cila u votua me 114 vota pro nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës.
Sipas tij, kjo rezolutë është një përgjigje e drejtë ndaj Raportit të Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025, si dhe ndaj vlerësimeve të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian.
Presidenti ka vlerësuar se dokumenti përfaqëson një qasje bashkëpunuese, me kompromis dhe konsensus politik, që i shërben një objektivi të përbashkët kombëtar siç është integrimi në BE.
Ai ka shtuar se kjo rezolutë tregon një politikë të përgjegjshme dhe të fokusuar në reformat që lidhen me zhvillimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social të vendit.
Presidenti ka vlerësuar bashkëpunimin mes palëve politike në Kuvend si një hap pozitiv në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.


