Trump sulmon guvernatoren e Nju Jorkut: Mbështetja për “komunistin e vogël” Mamdani, tronditëse!

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj guvernatores demokrate të Nju Jorkut, Kathy Hochul, pas mbështetjes që ajo i dha kandidatit të majtë Zohran Mamdani për zgjedhjet e ardhshme në qytetin e Nju Jorkut, duke e cilësuar atë si një “komunist të vogël”.

“Kjo është një zhvillim tronditës dhe shumë lajm i keq për Nju Jorkun… Uashingtoni do ta ndjekë shumë nga afër këtë situatë. Nuk ka arsye të shpërdorojmë para!” – shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Në garën për kryetar bashkie të Nju Jorkut më 4 nëntor, janë tre kandidatë demokratë dhe një republikan, por 33-vjeçari Mamdani, i cili vetëidentifikohet si socialist, kryeson aktualisht në sondazhe me diferencë të ndjeshme.

Në një deklaratë të dielën, guvernatorja Hochul tha se mbështet Mamdanin për shkak të angazhimit të tij ndaj uljes së kostos së jetesës, një temë që ajo e cilëson si prioritetin e saj:

“Si guvernatore, kam ndërmarrë hapa drejt këtij qëllimi – përfshirë uljen e taksave për shtresën e mesme dhe ofrimin falas të vakteve në shkolla për të gjithë nxënësit. Por ka ende shumë punë për të bërë,” u shpreh ajo.

Hochul shtoi gjithashtu se, përballë “politikave të papranueshme dhe shkatërruese që vijnë çdo ditë nga Uashingtoni”, është e rëndësishme që qyteti të mos udhëhiqet nga dikush që do të bashkëpunonte me Trump:

“Duhet të jem e sigurt që kryebashkiaku i ardhshëm nuk do t’i japë Trumpit as edhe një centimetër,” theksoi ajo.

Në një intervistë për Fox News të premten, Trump komentoi për Mamdanin: “Duket se do të fitojë. Dhe kjo është një kryengritje – një kryengritje kundër kandidatëve të këqij.”

EMISIONET