Trump i kërkon Izraelit të ndalojë bombardimet në Gaza

Trump i kërkon Izraelit të ndalojë bombardimet në Gaza

Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje Izraelit të ndalojë menjëherë bombardimet në Rripin e Gazës, pasi Hamasi ka pranuar pjesën më të madhe të planit të tij për paqe.

“Bazuar në deklaratën e Hamasit, besoj se ata janë gati për një paqe të qëndrueshme. Izraeli duhet të ndalojë bombardimet menjëherë, në mënyrë që pengjet të mund të lirohen në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë”, shkroi Trump në një  postim në rrjetin e tij Truth Social.

Organizata islamike palestineze Hamas ka deklaruar se është e gatshme të hyjë në negociata për zbatimin e planit të Trumpit, përfshirë lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë, si të gjallë ashtu edhe trupat e të vdekurve.

Megjithatë, grupi theksoi se disa pika kërkojnë diskutime të mëtejshme dhe garantimin e “kushteve të përshtatshme në terren” për zbatimin e marrëveshjes.

Në deklaratën e saj, Hamasi shprehu gatishmërinë për t’ia kaluar administrimin e Gazës një qeverie të përkohshme palestineze të përbërë nga teknokratë të pavarur, me mbështetje arabe dhe islame.

Grupi tha gjithashtu se çështjet që lidhen me të drejtat e popullit palestinez dhe të ardhmen e territorit duhet të zgjidhen në kuadër të një qëndrimi të përbashkët kombëtar, në përputhje me ligjet dhe rezolutat ndërkombëtare.

Plani 20-pikësh i propozuar nga Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përfshin një armëpushim të menjëhershëm, shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve palestinezë, si dhe tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga Gaza.

Ai parashikon gjithashtu çarmatosjen e Hamasit dhe krijimin e një qeverie kalimtare palestineze, e cila do të mbikëqyret nga një organ ndërkombëtar.

Sipas planit, Izraeli nuk mund të aneksojë apo të pushtojë përfundimisht Gazën, ndërsa anëtarët e Hamasit që dorëzojnë armët dhe zotohen për bashkëjetesë paqësore mund të përfitojnë amnisti ose të largohen nga territori.

Një forcë ndërkombëtare stabilizuese do të sigurojë rendin dhe do të trajnojë policinë palestineze për të garantuar sigurinë në zonë.

Plani i Trumpit është pritur me miratim ndërkombëtar, përfshirë edhe nga Autoriteti Palestinez, i cili e cilësoi atë si një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes me dy shtete.

Megjithatë, në Izrael, partnerët e ekstremit të djathtë të qeverisë së Netanyahut e kanë kundërshtuar ashpër, duke kërkuar në vend të kësaj aneksimin dhe ripopullimin e Gazës.

EMISIONET